TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 16:01

Tirana drejt zgjedhjeve të parakohshme, reagon Ristani: I uroj suksese Ogertës në këtë rrugëtim

Shkruar nga Pamfleti
Tirana drejt zgjedhjeve të parakohshme, reagon Ristani: I uroj suksese
Anuela Ristani

Ristani shkruan në rrjetet sociale se ishte kënaqësi t’i shërbente Tiranës, ndërsa uron në rrugëtimin Ogerta Manastirliun, e cila do të jetë kandidatja e PS.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak shkarkimin e Erion Veliajt me qëllim që ti hapet rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Ristani shkruan në rrjetet sociale se ishte kënaqësi t’i shërbente Tiranës, ndërsa uron në rrugëtimin Ogerta Manastirliun, e cila do të jetë kandidatja e PS.

Një falënderim ka për Erion Veliajn dhe kryeministrin Rama, ndërsa thekson se deri në nisjen e mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme do të vijojë punën me të njëjtin përkushtim.

Tirana është sfida dhe dashuria më e madhe e jetës sime profesionale. Për më shumë se dhjetë vite kam pasur nderin të shërbej për këtë qytet, duke dhënë më të mirën, e bindur se Tirana meriton më të mirën.

Detyra ime si Kryetare e Deleguar ka ardhur në periudhën më të vështirë dhe më të pazakontë për Bashkinë e Tiranës dhe për qytetin. Në thellësinë e ndërgjegjes sime, kam bërë gjithçka që kam mundur, duke e ndier këtë përgjegjësi si një detyrim moral dhe qytetar: me vendosmërinë për të mos ç’bërë asnjë milimetër nga progresi i arritur gjatë këtyre dhjetë viteve.

Transformimi i madh që Tirana ka përjetuar është fryt i vizionit dhe i punës së përbashkët të një skuadre të përkushtuar. Për këtë përvojë si qytetare dhe bashkëpunëtore do të jem gjithmonë mirënjohëse ndaj Kryetarit Erion Veliaj. Qyteti ynë është rritur. Është sot më modern, më i gjallë, me më shumë shërbime, më social, me më shumë investime në infrastrukturë, arsim, kulturë e sport, me më shumë hapësira publike e gjelbërim. Dhe ky është një rrugëtim që vazhdon.

Në këto muaj, sfidat kanë qenë kryefjala. Ndaj dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për çdo koleg, çdo qytetar që ka kontribuar, dhe veçanërisht për Kryeministrin z. Edi Rama, për përkujdesjen dhe mbështetjen e vazhdueshme edhe në momentet më delikate. Shërbimi ndaj Tiranës ka qenë privilegji më i madh i jetës sime. Deri në ditën e fundit do të mbetem në detyrë me të njëjtin përkushtim si në ditën e parë. E bindur në fitoren e Partisë Socialiste për Tiranën i uroj Ogertës suksese në këtë rrugëtim”, shkruan Ristani.

Lini një Përgjigje