
Liderët e rajonit mblidhen sot në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Tirana do të presë një tjetër samit ditën e sotme, pas atij për Ukrainën ku ishte i pranishëm edhe presidenti Zelensky.
Bëhet fjalë për samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jetë zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike, si edhe rrugëtimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Europian.
Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Si përfaqësues i BE-së, do të jetë në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi ndërsa presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen nuk do të jetë e pranishme.
Ndryshe nga samiti për Ukrainën ku nga Kosova ishte e pranishme presidentja Vjosa Osmani, sot nuk do të ketë asnjë përfaqësues. Nga ana tjetër i pranishëm do të jetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç.
Për herë të parë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut, do të jetë i pranishëm në samit edhe Talat Xhaferi.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:
-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
-Përshpejtimi i reformave themelore
-Rritja e ndihmës financiare
BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.
Sot nga ora 12:00 deri në orën 14:00 do të ketë ndalim qarkullimi, në Rrugën e Elbasanit, Unaza e madhe perëndimore – ish-sheshi “Shqiponja” – Qafë Kashar - Rinas-aeroporti “Nënë Tereza”;
Rrugët ku do të ketë ndalim qarkullimi deri në orën 16:00 të datës 29 shkurt konkretisht:
Rruga “Dervish Hima” nga Rruga e Elbasanit deri tek Coin;
Rruga “Papa Gjon Pali II”, nga RTSH deri tek Coin;
Rruga “Abdyl Frashëri”, nga kryqëzimi i Librit Universitar deri tek Presidenca;
Rruga “Ukraina e lirë”, nga Gjykata Kushtetuese deri tek Vila 30;
Rruga “Themistokli Gërmenji”, nga Rruga e Elbasanit deri tek rruga “Papa Gjon Pali II”;
Rruga “Faik Konica”, nga degëzimi i Ambasador 3 deri tek rruga “Dervish Hima”;
Rruga “ Gjergj Filipi”, sheshi “Italia”, nga rruga “Faik Konica” deri tek hotel “Mariot”;
Blevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e ish-hotel Dajtit deri tek sheshi “Nënë Tereza”;
Për banorët dhe automjetet që gjenden në rrugët dhe blloqet e banimit, brenda perimetrit të sigurisë do të lejohen të hynë dhe dalin, përkatësisht nga:
a)Blloku i banimit tek “Ambasador 3”, nga rruga “Sheh Ahmet Pazar” ose Faik Konica;
b) Blloku i banimit në rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu” dhe “Papa Gjon Pali II”, në drejtim hyrës dhe dalës drejt Rrugës së Elbasanit;
c)Blloku i banimit tek dy kullat në rrugën “Ismail Qemali” dhe “Ukraina e lirë”, në drejtim hyrës dhe dalës të kufizuar nga shërbimet e sigurisë dhe dalje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kthim i detyruar drejt bulevardit “Bajram Curri”;
d)Rruga “Lek Dugagjini” (para Universitetit) duke vijuar në rrugën “Faik Konica” (pas stadiumit), me dalje në Rrugën e Elbasanit, do të jetë e lirë për kalimin e mjeteve dhe qytetarëve (përjashto rastet kur ka kufizim në Rrugën e Elbasanit).
AXHENDA
09:30 Mbërritja e liderëve
09:45 Fjala hapëse, Rama dhe Varhelyi
10:45 Foto familjare
12:00 Firmosja e marrëveshjes
12:30 Konferencë për shtyp, Rama dhe Varhelyi
Lista e Pjesëmarrësve
1-Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë
2-Aleksandër Vuçiç – President i Serbisë
3-Milojko Spajiç – Kryeministër i Malit të Zi
4-Borjana Kristo – Presidente e Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës
5-Talat Xhaferi – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut
6-Oliver Varhelyi – Komisioneri i BE-së për Zgjerimin
7-Majlinda Bregu – Sekretare e Përgjithshme për Bashkëpunimin Rajonal
8-Danijela Gacevic – Drejtuese në detyrë e CEFTA-s
9-Gert Jan Koopman – Drejtor i përgjithshëm i grupit negociator të KE për Fqinjësinë dhe Zgjerimin
10-Xiaoqing Yu – Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor
11-Charlotte Ruhe – Drejtori menaxhues i BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore
12-Matej Zakonjsek – Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit për Transportin
13-Maja Pishkeviq – Qendra e Evropës në Këshillin Atlantik dhe përfaqësuese e qendrës në Ballkanin Perëndimor
14-Alessandro Bragonzi – Kreu i përfaqësimit rajonal për Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane të Investimeve (EIB)
15-Lulzim Rafuna – Kryetar i Dhomës së Tregtisë së Kosovës
16-Ines Muçostafa – Kryetare e Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë
17-Andi Dobrushi – Drejtor Ekzekutiv i OSFA
Lini një Përgjigje