
Tensione të forta te rruga "Marko Boçari"...
Teksa orari zyrtar i zgjedhjeve ka përfunduar, në Tiranë situata është ndezur. PD pretendon se ka zbuluar një zyrë informale të PS, ku dyshohet se janë bërë pazare me vota. Sipas PD ka qenë një zyrë patronazhimi.
Fillimisht ishte një gazetare e Syri Tv që pa njerëz me laptopë dhe çanta, më pas aty u shfaq Erion Braçe dhe pati përplasje verbale me gazetaren.
“Ti dhe ky banditi këtu” (I drejtohet përfaqësuesit të PD dhe gazetares Ambrozia Meta).
“Mu zhduk po të them! Nuk po të llogaris”, thotë Braçe.
Pas denoncimit në media, nga zyra dolën persona me çanta dhe ikën me vrap. Kjo bëri të shkojë drejtuesi politik i Tiranës, Belind Këlliçi.
“Jam Belind Këlliçi, është telefonata e gjashtë me policinë. Kemi një konflikt fizik dhe krim elektoral në flagrancë. Rruga ‘Marko Boçari’. Është telefonata e gjashtë në një orë”, shprehet Këlliçi, i cili akuzonte policinë se nuk shkonte aty.
Më pas pati debat me Braçen. ‘Mos i jep më gojës’, i thotë Këlliçi-Braçes.
"Kjo është një zyrë elektorale e padeklaruar. Brenda është mbyllur Erjon Braçe. Kemi kapur në flagrancë njerëz me lista me kompjutera. Dua të bëhet kontroll se ka dyshime për para", shtoi Këlliçi.
Më pas ka mbërritur policia, e cila ka rrethuar zyrën. PD kërkon prezencën e prokurorëve të SPAK. Aty kanë shkuar edhe Adriana Kalaja, Tedi Blushi dhe kandidatët e tjerë të opozitës. Po ashtu pati dhe regim zyrtar nga PD.
"Nje rast flagrant eshte dokumentuar prane shkolles "Petro Nini Luarasi" ku administrata shteterore ne shkelje me ligjin dyshohen se zoterojne materiale zgjedhore, pajisje elektronike dhe shuma monetare per te tjetersuar vullnetin e votuesve. 3 perfaqesues zyrtare te Partise Demokratike kane njoftuar Policine e Shtetit, e cila megjithese zyra ndodhej ne qender te Tiranes ka vonuar mbi 90 minuta, duke iu dhene kohen e nevojshme per te manipuluar provat e krimit zgjedhor. Narkoregjimi i Edi Rames deshmoi edhe nje here fytyren e tij", shprehet PD.
Ndërkohë mësohet se policia ka shoqëruar 3 persona që ishin te zyra në fjalë. Vetë Braçe pretendon se zyra ka qenë personale e tij. Por zyra nuk ka logo të PS dhe ndalohen zyrat elektorale pranë qendrave të votimit.
Lini një Përgjigje