TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Qershor 2023, 15:22

Takimet në Bruksel, Rama nuk kursehet ndaj Kurtit: S’po hedh asnjë hap për qetësimin e situatës, koha të firmosë Asociacionin

Shkruar nga Pamfleti

Takimet në Bruksel, Rama nuk kursehet ndaj Kurtit: S’po hedh

Kryeministri Edi Rama vijon të lëshojë “thumba” dhe të kritikojë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Rama ka marrë sot rolin e “Vëllait të Madh” të Kosovë, pasi ka zhvilluar takime në Bruksel mbi atë që po ndodh në veri të Kosovës. Edhe pse deri dje ishte ai që shprehej se Shqipëria nuk përzihet në punët e tyre, duket se tani kryeministri po tenton të tregojë se i dhimbset Kosova.

Ai zhvilloi takime me krerët më të lartë të Brukselit, ndërsa në një reagim në rrjetet sociale, ka lëshuar mesazhe ndaj Kurtit.

“Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës së Kosovës me bashkësinë euro-atlantike. BE-ja e mbështetur nga SHBA ka vënë në Tryezën e Dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, planin më të mirë të mundshëm të normalizimit, i cili paqton më në fund Ballkanin Perëndimor, duke i hapur rrugë edhe njohjes së plotë ndërkombëtare të Kosovës!

Është e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon refuzon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës. Kësisoj Beogradi po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur, që qasja e pashpjegueshme strategjike e Prishtinës po krijon mes Kosovës dhe bashkësisë euroatlantike, sidomos pas lirimit pa kushte nga Serbia të tre policëve të mbajtur fare padrejtësisht, me ditë të tëra, në kushtet e heqjes së lirisë”, shkruan Rama.

Sipas tij, është koha për një konferencë të nivelit më të lartë, të thirrur nga Franca e Gjermania, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, ku të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit. Po ashtu Rama ka kërkuar që të arrihet dakordësia për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës”, shkruan Rama.

Pak kohë më parë Rama doli me një propozim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por këtë draft Prishtina e refuzoi, gjë që solli më pas dhe anulimin e mbledhjes mes dy qeverive.

rama kurti takim bruksel

Lini një Përgjigje