Si Ilir Meta në 30 vite, ka punuar vetëm për xhepin e tij, duke u zhytur në skandale...
Prej disa javësh, nuk hapen televizori dhe rrjetet sociale, pasi ngado del Ilir Meta. Teksa po afron dita e arrestimit, kreu i PL ka marrë malet, hipën majë hekurave, del në konferenca shtypi si i çartur, zihet Live me gruan, etj.
Ilir Meta pretendon se ka qenë i ndershëm gjithë jetën e tij. Por nëse shohim gjithë karrierën politike, padyshim ai është ndër politikanët më të akuzuar në vend, duke lënë ndoshta pas edhe Sali Berishën.
Meta spiun i Sigurimit
Karriera e zezë e Ilir Metës nisi që kur ishte student. Në atë kohë ai spiunoi shokun e klasës dhe sipas dokumenteve, ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit. Ilir Meta pretendon se është mashtrim, por në fakt të dhënat janë të qarta, ndonëse Rama e mbrojti dhe ai ka mbetur rehat nga kjo pjesë.
Vjedhja e floririt
Më pas, Meta u fut në politikë dhe si duket që në fillim ka pasur vetëm një qëllim, pasurimin. Afera më e madhe për të cilën ai është akuzuar është padyshim vjedhja e floririt në Krrabë. Grabitja e Thesarit të Shtetit në Krrabë, ka ndodhur gjatë muajve mars dhe prill 1997, kur Shqipëria u zhyt në kaos dhe anarki me mijëra viktima dhe dëme të jashtëzakonshme.
Por vjedhja u zbulua vetëm tre vite më pas. Pesë persona u dënuan me dënime të shkurtra për vjedhjen. Pjesa e mbetur e arit u transportua në Tiranë.
Inventari i vitit 2000, konstatoi se nga 24 arkat metalike në të cilat ishte vendosur ari në gjendje monedhe lira turke, napolona francez dhe dollarë të artë amerikanë, 11 arka ishin krejtësisht të zbrazura.
Ndërsa nga 97 arkat e mbushura secila me nga 20 kilogram argjend, ishin hapur vetëm 2 arka, por nuk ishte grabitur asnjë gram argjend. Nga 24.000 napolona ari në total, grabitësit kishin marrë rreth 4.000 napolona. Dëmin më të madh e pësuan lirat turke, ku nga 62 mijë të tilla, grabitësit morën rreth 40 mijë. Kurse nga 1600 dollarët amerikane prej ari që ndodheshin në thesarin e shtetit, u grabitën 10 prej tyre. Berisha ishte ai që akuzoi Ilir Metën: “Ai tjetri në fund nuk quhet Ilir Meta, por Ilir Floriri”, deklaroi Berisha në një debat në Parlament në vitin 2000.
Akuzat për vrasje
Ndryshe nga shumë akuza për politikanët e tjerë, ndaj Ilir Metës ka pasur akuza për vrasje. Dëshmia më e fortë është ajo e Nuredin Dumanit, i cili akuzon Metën se ka porositur vrasjen e vëllait të ish-deputeti Arben Ndoka.
Ngjarja ndodhi më 9 dhjetor 2017. Aleksandër Ndoka u gjet i vrarë në makinën e tij, para banesës. Ndoka kishte qenë në një lokal aty pranë dhe rreth orës 22.00 ka hipur në mjetin tip “Mitsubishi” për të shkuar në banesë. Por para vilës së tij ishin duke pritur vrasësit. Ata gjetën një zonë pa ndriçim dhe e ekzekutuan duke e lënë të vdekur. Ndoka u gjet në mëngjes i pajetë nga familjarët e tij. Ngjarja ishte tipike e stilit mafioz dhe policia që në atë kohë u shpreh se mund të kishim të bënim me vrasës me pagesë.
Dyshimet që në atë kohë flisnin se mund të kishim një vrasje të natyrës politike. Në zgjedhjet e qershorit 2017, pati një plagosje me armë në Lezhë. Djali i Aleksandër Ndokës, qëlloi me armë Florian Dushkun, aktivist i LSI. Ishte vetë Ilir Meta që në atë kohë përmes një deklarate për mediat akuzoi 3 persona për ngjarjen: Samuel Ndoka, Don Ndoka dhe Genc Hakica.
Kjo ngjarje shkaktoi përplasje të forta mes vëllezërve Ndoka dhe Ilir Metës. 6 muaj më pas ekzekutohet Aleksandër Ndoka. Dyshimet që në 2017 ishin se vrasja ndodhi pikërisht për shkak të përplasjeve me LSI.
Po ashtu, dy personat që kanë pasur dijeni të plotë për të gjithë aferën CEZ-DIA sot nuk janë më.
I pari është Eduart Belegu. Ky i fundit ka qenë këshilltar i ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti, armiku më i madh i Metës. Në 2010 ai u zhduk në mënyrë krejt të papritur. Ai zyrtarisht është shpallur i vdekur. Juristi Romeo Kara ka deklaruar se ai u zhduk pasi ka pirë kafe me një person pranë Ilir Metës para selisë së LSI.
Emri tjetër është Qazim Tepshi, ish-ambasador në Çeki, i cili ka qenë pjesë e bisedimeve me çekët për çështjen e CEZ. Ai vdiq në 2015 dhe zyrtarisht u raportua për atak kardiak, por familjarët e tij kanë dyshime se mund të jetë eliminuar. Po ashtu flitet se dhe Dritan Prifti u eliminua. Ai vuante nga kanceri, por ka zëra se u ndërhy për të përshpejtur vdekjen.
Aferat korruptive
Sa i takon aferave korruptive, ato janë të shumta. Më e madhja padyshim është ajo e videos me Dritan Priftin. Meta doli me zë e figurë ku kërkonte 700 mijë euro. Po ashtu kishte me vete një bllok dhe aty mbante shënim përqindjet që merrte në çdo ministri.
Vjedhje e madhe ndodhi me CEZ-DIA. Ilir Meta ndërhyri të ulte çmimin e energjisë te ERE, duke përfituar miliona. Vjedhje të shumta pati me rrugët. Partia e tij drejtoi Ministrinë e Transporteve dhe pati afera kudo, sidomos me aksin Tiranë-Elbasan, aeroportin e Rinasit dhe shumë projekte të tjera.
Po ashtu, Ilir Meta do mbahet mend si personi që shkatërroi meritokracinë. Në administratë u futën besnikë të tij pa arsim përkatës. Mjafton të ishe me LSI dhe bëheshe drejtor.
Pasuria
Ilir Meta është ndër politikanët më të pasur në vend. Që kur nisi deklarimi pasuror në vitin 2003. Meta rezultonte me vilë në plazh. Më pas ai ka ndërtuar vilë në Gjirin e Lalëzit, shtëpi te Kodra e Diellit, dubleks në Bllok, teksa kemi dhe pallatin në Laprakë. Ai i kaloi në emër të gruas gjithë pasuritë dhe duket se kjo ka futur sherr në familje.
Pronat në Londër dhe minierat në Kongo
Meta është akuzuar se ka fshehur miliona euro në Londër. Madje flitet se bëhet fjalë për afro 70-80 milionë euro. Po ashtu ka zëra se ai ka njësi biznesesh dhe banesa po në Britani. Akuza tjetër është se ka investuar deri tek minierat e arit në Kongo.
Akuza të tjera
Po ashtu, Ilir Meta akuzohet për pastrim parash, për afera me SGS ku kishte punësuar kuantin e tij. Akuzë tjetër është ajo e lobimeve në SHBA dhe ndërhyrjet estetike. Po ashtu, ndaj tij ka pasur akuza se ka bërë pazare me dhënien e shtetësive kur ishte president. Me pak fjalë, një CV shumë e larmishme e kreut të PL. /Pamfleti
Lini një Përgjigje