TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Dhjetor 2023, 19:45

SPAK shkund familjen Meta, Kryemadhi pranon se janë vënë nën hetim pasuror

Shkruar nga Pamfleti
SPAK shkund familjen Meta, Kryemadhi pranon se janë vënë nën
Kryemadhi dhe vila e saj në Lalëz

Meta dhe bashkëshortja e tij janë vënë nën hetim pasuror. Të paktën këtë ka pranuar Monika Kryemadhi...

Pas Sali Berishës, Prokuroria e Posaçme ka trokitur në derën e Ilir Metës. Ndonëse SPAK dhe vetë ish-presidenti e kanë mbajtur të fshehtë, duket se detajet po dalin.

Pak ditë më parë u zbulua se SPAK ka sekuestruar telefona dhe pajisje elektronike të Metës dhe Kryemadhit, por duket se nuk mbyllet me kaq. Meta dhe bashkëshortja e tij janë vënë nën hetim pasuror. Të paktën këtë ka pranuar Monika Kryemadhi.

Ajo ishte e ftuar në një emision televiziv dhe deklaroi padashje se ndaj tyre ka nisur verifikimi i pasurisë.

Çështja e inceneratorëve përfshin piramidën nga maja e saj dhe them gjithmonë se nuk është ushtari ai që ka përgjegjësinë dhe është ideatori. Nëse denoncimet e mia nuk do të ishin kaq të egra dhe të drejtpërdrejta, nuk do të ishim nën hetim pasuror dhe nuk më shqetëson pasi unë nuk kam asgjë për të fshehur. Dihet se çfarë shtëpie ka Monika. Në shtëpinë e Kryemadhit kanë hyrë të gjithë politikanët. Erion Veliaj shpërndan fjalët. Do ta kryejë SPAK. Nuk bashkëpunoj për SPAK po për veten time”, tha Kryemadhi.

Pasuria e Metës dhe Kryemadhit

Por edhe pse zonja deklaron se nuk ka pasuri dhe dihet se çfarë ka deklaruar, nëse shohim deklarimet në ILDKP rezulton se ata kanë pasuri sheikësh. Në vitin 2003, Meta ka deklaruar një banesë të përfituar nga privatizimi si dhe një banesë me verandë+lulishte në Golem, 327 m2. Vlera në atë kohë është deklaruar 60 mijë dollarë, ku thuhet se janë marrë kredi. Por ajo që u ka dhënë më shumë të ardhura janë 13 apartamente të përfituara nga Monika Kryemadhi. Ajo ka marrë 13 apartamente në kuadër të një marrëveshje me një firmë ndërtimi.

Edhe pse në deklaratën pranë ILDKP nuk jepen shumë qartë të dhënat, Kryemadhi rezulton pronare e truallit ku është ndërtuar pallati dhe në këmbim ka marrë 13 apartamente me vlerë totale 1444.8 m2. Shumica e tyre janë shitur nga viti në vit. Ndërkohë në deklarimin më të fundit, Kryemadhi ka shitur 3 prej apartamenteve të saj.

Po ashtu Meta e Kryemadhi kanë deklaruar një banesë në kryeqytet me sipërfaqe 200 metër katror me vlerë 400 mijë euro.

Pjesë e deklarimit është dhe 500 m2 tokë+200m2 truall me vlerë 5 milionë lekë. Nuk duhet harruar shtëpia te Gjiri i Lalëzit. Shtëpia e tyre në bregdet është bërë gjithmonë objekt debati dhe sipas deklarimeve në ILDKP, bëhet fjalë për një banesë dy katëshe me sipërfaqe 317 metra katrorë në Gjirin e Lalzit. Sipas deklarimit, burimi është këmbimi me sipërfaqe ndërtimore 300 metra katrorë, ambiente tregtare, sipas kontratës me firmën ndërtuese, si përfitues 33% të sipërfaqes së ndërtimit si pronar trualli. Edhe 13 apartamentet janë përfituar po nga kjo kompani. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje