Ish-kryeministri Sali Berisha ka mobilizuar mbështetësit e tij për të rezistuar përballë akuzave të SPAK. Kuvendi i hoqi atij imunitetin dhe ndaj tij me shumë gjasë do të vendoset një masë arresti javën që vjen.
Protestat dhe revoltat në Kuvend nuk dhanë efekt dhe Berisha sot ka mbledhur Kryesinë, për të diskutuar mënyrën e reagimit. Ai kërkoi nga të vetët që të mos zmbrapsen, por të luftojnë deri në rrëzimin e Ramës. Po ashtu ai sulmoi fort gjyqtarët dhe prokurorët.
“Në asnjë rrethanë ne nuk mund të zmbrapsemi, por në kushte të reja të diktuara, në mënyrë të shpejtë nga regjimi natyrisht kërkohet një ripërshtatet e shpejtë e jona në këto kushte. Kërkohet nga ne të bëjmë gjithçka që të jemi zëdhënës të atyre që guxojnë. Edi Rama ka zhytur shoqërinë shqiptare në mbretërinë e frikës dhe frika është e njohur se përbën ndjenjën më qendrore në fiziologji të ndjenjave njerëzore. Shpesh thonë se ai fiton vota, kjo s’më rikujton mua asgjë tjetër veçse marsin e ’91, kur ne zona më e varfët më e mjeruar, nuk na votoi jo se ajo ishte pajtuar me atë shkallë ekstreme mjerimi, ata ushqeheshin realisht më keq se të burgosurit në burgjet e diktaturës”, vijoi ai.
Sipas Berishës ka një urrejtje të madhe ndaj Ramës. Ai u shpreh se kryeministri ka kapur të gjitha institucionet, por aspak qytetarët. Sipas tij, duhet të përdoret çdo lloj mjeti kundër qeverisë.
“Në këtë kontekst duhet ta konceptojmë qëndresën tonë si një betejë e atyre që guxojnë dhe ata që guxojnë janë shumë herë më shumë nga ç’mund të mendojmë ne. Si ti identifikojmë. Thjesht të bëhemi zëdhënës të kërkesave të tyre. Ata kanë guximin dhe u bënë të mundur të kenë projekte për betejën. Kjo është rruga e vetme që ne të shkrijmë akullin e frikës. Le të rritemi dhe të shndërrohemi siç jemi sot. Sot jemi shpresa e vetme për shqiptarët”, tha ai.
Ish-kryeministri u ndal dhe te vendimi i Kushtetueses. Ai sulmoi shumë fort gjykatën, duke thënë se ajo vulosi monizmin. Nga ana tjetër ai nuk kurseu as analistë, duke i cilësuar si tellallë të Sigurimit që shkojnë nga një studim në tjetrën.
“Gjykata mashtron. Nxjerr entitet atë që nuk është entitet. Gjykatësit mashtrojnë në mënyrë të paimagjinueshme. Për ata që kanë të qarta parimet më bazë të lirive, 1/5 përfaqëson të drejtën e pakicës. Nuk i takon kryetares së parlamentit, i takon 1/5. Këtij përcaktimi gjykatësit i vunë fantazinë e tyre të sëmura militante dhe të turpshme. Po në këtë rrjedhë duke shpërfytyruar veten e tyre, thonë se 1/5 e deputetëve nuk legjitimohet sepse kjo kërkesë duhet të jetë e parlamentit dhe jo e deputetëve. Për këta deputetë që kushtetuta ia njeh të drejtën në Gjykatë dhe ia respekton kërkesën. Nëse Gjykata përcakton 1/5 e deputetëve si entitet, në emër të shtetit ka të hapur dyert e gjykatës për të paraqitur çdo lloj problemi. Ka përcaktime kur Gjykata përcaktohet si garant i Kushtetutës. Por është garant i monizmit, e përqendruar në duart e një njeriu”, tha ai.
SPAK mori sot vendimin e Kuvendit dhe pritet që nesër t’i drejtohet gjykatës, për të kërkuar një masë arresti ndaj Berishës. Me shumë gjasë do të kërkohet “arrest në shtëpi”.
Lini një Përgjigje