Sali Berisha thotë se pavarësisht vendimit që pritet të marrë ditën e nesërme, Gjykata e Posaçme lidhur me masën e sigurisë ndaj tij, ai do të vazhdojë betejën e tij pa kthim deri në rikthimin e pluralizimit politik në vend.
Gjatë fjalës së tij në konferencë me gazetarët, kryetari i PD-së, Berisha shprehet se në çdo rrethanë ai ka mbrojtur ligjin dhe kushtetutën.
Diskutimi me gazetarët:
Pyetje: Teksa jemi 1 ditë para vendimit të Gjykatës së Posaçme, ligji shqiptar ua lejon ju për të bërë disa kërkesa përsa i përket masës “arrest në shtëpi”, përkatësisht, ju lejon për të bërë kërkesë për leje të posaçme për të vazhduar punën ditën e seancës në parlament dhe e dyta që është më e rëndësishme ju lejon juve për të vendosur garanci pasurore për të qenë të lirë dhe jo në arrest shtëpie. Do t’i shfrytëzoni këto hapësira ligjore për të bërë këto kërkesa ndaj Gjykatës së Posaçme?
Berisha: Qëndrimi i Sali Berishës nga dita 1 gjer sot është vetëm një, mbrojtja e asaj që quhet shtet ligjor, por nuk ekziston. Mbrojtja e Kushtetutës kjo absolutisht për asnjë interes personal, por për interesin e çdo qytetari që beson se mund të gëzojë lirinë vetëm me praninë e shtetit ligjor. Ndryshe ajo është iluzion dhe joreale.
Pra në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë unë nuk kam ndërhyrë në asnjë proces dhe në asnjë vendim, por vetëm kam mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën për çdo qytetar që beson se barazia para ligjit, se zbatimi i ligjit është kushti i kushteve për të garantuar liritë e individit. Asnjë rekomandim unë nuk u bëj avokatëve të mi. Në qoftë se ka të bëjë me qëndrime direkt të miat, ata do më pyesin. Për të tjerat, çfarë ka të bëjë me zbatimin e ligjit, legjitimitetin e procedurave gjyqësore, ata kanë autoritet të plotë të vendosin pa më pyetur fare. Ky është raporti.
Ata ushtrojnë profesionin e tyre dhe duhet ta ushtrojnë atë profesion në variantin më të mirë, më dinjitoz që ata e konsiderojnë. Unë nuk kam asnjë lloj impresioni se çfarë vendimi merret nesër apo pasnesër. Beteja ime është pa kthim. Kjo është ajo që unë kam deklaruar dhe ajo betejë do vazhdojë gjer në triumfin e plotë, rikthimin e pluralizmit politik në vendin tim.
Lini një Përgjigje