
Mbahet sot në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen "Veliaj", me të pandehur kryebashkiakun e Tiranës, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe të tjerë.
Pritet që Gjykata të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim ose jo, apo do ta rikthejë në SPAK për hetime të mëtejshme.
Kryebashkiaku i Tiranës ka lënë sot përkohësisht qelitë e paraburgimit të Durrësit. Veliaj është shoqëruar drejt ambienteve të Gjykatës së Posaçme në kryeqytet për të qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të shqyrtimit paraprak të dosjes ndaj tij dhe të bashkëpandehurve.
Seanca e kaluar paraprake u shty për shkak se mbrojtja kërkoi kohë që të njihet me aktet e dosjes, ndërsa Gjykata pranoi kërkesën e tyre.
Më herët, Veliaj i është drejtuar GJKKO-së që t’i vihet në dispozicion një kopje fizike e dosjes, i cili të ketë mundësi të përgatitet për mbrojtjen. Veliaj argumenton se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në paraburgim.
Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli. Bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave si dhe pastrim parash. E përshirë në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Më 27 nëntor, ai iu drejtua sërish Kushtetueses duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë për masën ‘arrest me burg’.
Lini një Përgjigje