TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2025, 07:48

Sot seanca e parë pas zgjedhjeve, çfarë pritet të ndodhë mes mazhorancës dhe opozitës?!

Shkruar nga Pamfleti

Sot seanca e parë pas zgjedhjeve, çfarë pritet të

Kuvendi hap dyert ditën e sotme për mazhorancën dhe opozitën, pas mbylljes së procesit zgjedhor të 11 majit. 

Pas disa javësh pauzë për shkak të fushatës elektorale dhe zgjedhjeve, ligjvënësit rikthehen, disa me bilanc fitoreje dhe të tjerë me rezultatin e humbjes.

Në orën 10:00, përpara seancës plenare, kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku do të diskutohet kalendari i punimeve për javët e mbetura të sesionit parlamentar dhe ecuria  e planit të veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian për periudhën janar-mars 2025.

Deri në mbylljen e legjislaturës në korrik, pritet të zhvillohen raportimet vjetore të institucioneve të pavarura, përfshirë edhe ato të drejtësisë.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do të flasë për procesin zgjedhor të 11 majit, të cilin e konsideron një “farsë”. Një ditë më parë, Gazment Bardhi, një nga drejtuesit politikë demokratë me rezultatin më të dobët në zgjedhje, në një mesazh drejtuar kolegëve demokratë thoshte se “do të bëjmë gjithçka për ta paraqitur faktet e plota për farsën elektorale të 11 majit”.

Nga ana tjetër, PS do të mbledhë grupin parlamentar një orë para nisjes së seancës. Kreu i grupit, Niko Peleshi, në një mesazh drejtuar deputetëve, ka kërkuar pjesëmarrje dhe ka njoftuar se në fokus do të jetë organizimi i punës në komisione dhe seancat e fundit të kësaj legjislature.

Kuvendi aktual, i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, e ka nisur mandatin më 10 shtator 2021. Sipas Kushtetutës, legjislatura e re që del nga zgjedhjet e 11 majit duhet të mblidhet brenda dhjetë ditësh nga përfundimi i mandatit të Kuvendit aktual, pra në gjysmën e dytë të muajit shtator.

Konferenca e Kryetarëve

- Vendndodhja:Salla "Pjetër Arbnori"
- Ora:10:00
1. Shqyrtimi i projektprogramit të punës së Kuvendit për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025.  
2. Shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj - 18 qershor 2025.  
3. Raporti i monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2025, për ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024.  

Seancë plenare

- Vendndodhja: Salla e seancave plenare
- Ora:12:00

Lini një Përgjigje