TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Maj 2024, 12:40

Skema e mazhorancës për kontrollin e SPAK, Tabaku: Pavarësia e institucionit vijë e kuqe, askush të mos përzihet

Shkruar nga Pamfleti

Skema e mazhorancës për kontrollin e SPAK, Tabaku: Pavarësia e

Tabaku thotë se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është vija e kuqe ku askush nuk mund të përzihet.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka komentuar rreth skemës së mazhorancës për kontrollin dhe monitorimin e SPAK-ut.

Gjatë fjalës së saj në seancën parlamentare, Tabaku është shprehur se nuk duhet lënë vetëm SPAK-u në betejën me korrupsionin.

Tabaku thotë se pavarësia e institucioneve të drejtësisë është vija e kuqe ku askush nuk mund të përzihet.

“Duhet të mos e lëmë SPAK-un vetëm në betejën me korrupsionin. Një shtet i kapur nuk mund të jetë garantues reformash.

Sot më shumë se dje ka rëndësi të ruajmë pavarësinë e gjyqësorit, integritetin parlamentar dhe llogaridhënien, këto janë 3 vija të kuqe që askush nuk mund të përzihet”, tha Tabaku.

Deputeja demokrate u shpreh gjithashtu se SPAK është një krijesë falë luftës së PD duke rikujtuar që në të vërtetë qeveria socialiste kishte kërkuar një BKH nën hyqmin e ministrisë së rendit dhe qeverisë.

Në fjalën e saj ajo kujtoi se qeveria nuk e ka ndihmuar as SPAK dhe as ka pasur vullnetin dhe moralin për të luftuar korrupsionin, prandaj duket jo reale që kjo qeveri të flasë në emër të një beteje kundër korrupsionit.

“E vërteta që dua ta rikujtoj është që SPAK-u nuk ka qënë asnjëherë kërkesë e socialistësve. Në këtë sallë, mazhoranca socialiste ka kërkuar krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda Ministrisë së Brendshme atëherë, nën varësinë dhe tutelën e Ministrisë së Rendit dhe të Qeverisë. Ndërkohë që ka qënë i vetmi ligj, pasi u ndryshua me mbështetjen e partnerëve, i cili u votua dhe nga opozita. Është po e njëjta qeveri që menjëherë pas krijimit të SPAK-ut, shkoi dhe e bombardoi me qindra dosje të OFL-së. E mban mend njeri OFL-në sot? Një veprim dhe përpjekje e kalkuluar politike për të mbrojtur interesat e mazhorancës tashmë të zhytur në korrupsion që kërkon pushtetin jo për ta luftuar atë, por si një proces politik për ta pranuar më në fund që ky realitet po ndodh”, tha Tabaku.

Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dy ditë më parë në mbledhjen e grupit, ku ishin dhe ministrat fshihte një skenar përtej asaj, me të cilën u mburr kreu i qeverisë.

Rama mori shpatën e luftës antikorrupsion, duke promovuar arritjet dhe kërkoi bashkëpunim me opozitën për të “çrrënjosur korrupsionin”. Mirëpo 'djalli fshihet në detaje' dhe gjithë thelbi i atij fjalimi 2 orësh është rezoluta e propozuar për miratim në Kuvend.

Në këtë rezolutë, përveç ujërave që do të goditet korrupsioni, u konfirmua ajo që e kemi thënë disa herë: Rama, do të ngrejë një komision parlamentar për të kontrolluar drejtësinë dhe organet e tjera kushtetuese, pra KLSH, ILDKP, BSH, Avokatin e Popullit, etj.

Përveç kësaj, Rama i shtriu Berishës dorën e bashkëpunimit për të prekur dhe ligjet e drejtësisë, duke tentuar të krijojnë një mburojë përballë asaj që po vjen falë SPAK.

“Kuvendi angazhohet: Të sigurojë në mënyrë transparente, në dispozicion të këtij procesi ekspertizën më të mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA) dhe përmes rregullave, procedurave e mekanizmave parlamentare të ngrejë një Komision të Posaçëm Parlamentar, i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN përmes një vlerësimi / analize të situatës në këto fusha si dhe hartimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse. I gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”, thuhet në një nga pikat e rezolutës, që është dhe pika kyçe.

“Pamfleti” e paralajmëroi që pak kohë më parë një skenar të tillë. I pari që dha sinjalet ishte Eduard Shalsi, i cili në një intervistë pranoi se po ideohej ngritja e një komisioni që do të monitorojë organet kushtetuese që raportojnë në Kuvend.

Në mbledhjen e grupit, Rama tentoi të tregonte se e gjitha kjo bëhet në kuadër të një hapi të ri antikorrupsion, por në fakt lepuri fle tjetërkund. Rithemelimi dhe mazhoranca do të ngrenë një komision bipartizan që do të ushtrojë presion ndaj SPAK, BKH dhe gjithë organeve që raportojnë në Kuvend. Fakti që nga Rithemelimi nuk foli askush, tregon qartë se plani është bërë gati.

Me pak fjalë nuk kemi luftë antikorrupsion, por kapje të institucioneve për të mos lejuar ndëshkimin e të korruptuarve, ose për të dërguar para drejtësisë vetëm ata që do partia. Dhe në këtë skenar ogurzi, Rama dhe Berisha duket se janë sërish bashkë./Pamfleti

Lini një Përgjigje