
Dorëheqja e Albana Koçiut është shumë pak, kemi të bëjmë me një përgjegjësi penale për vrasje të paralajmëruar...
Disa media po rreken të nxjerrin si konkluzion të zbulimit të skandalit të Onkologjikut, hallin e një prokurori që e provoi në lëkurën e vet. Por e vërteta është krejt ndryshe. Ka mbi dy vjet që denoncimet qytetare vijojnë lumë në SPAK dhe ambasadën amerikane, e ka qenë kjo e fundit që ka ndihmuar drejtësinë shqiptare me të dhënat e qytetarëve. Që më pas u bënë shkas thelbësor për hetimin e prokurorisë. Kështu që këtu nuk kemi asgjë të re, vetëm një krim të rëndë e të stërparalajmëruar.
Së pari, ka qenë ‘Pamfleti’, dy vjet më parë, përkatësisht në shtatorin e vitit 2022, ku shkroi për “Tiren e Onlologjikut”. Infermieren përbindësh që u merrte para të sëmurëve terminal. ‘Tirja’ ishte një personazh që lihej në punë edhe pse kishte dalë në pension, e negocionte kanalizimin e kimioterapisë në spitalet e klinikat private.
Vetëm pas bujës që bëri shkrimi te ‘Pamfleti’, infermierja u largua nga puna, por gjëma ishte bërë.
Pas Pamfletit, ka qenë edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka publikuar raportet mbi abuzimet me medikamentet, apo bazën materiale studimore, duke favorizuar korrupsionin nëpërmjet dërgimit tek spitalet apo klinikat private.
Skema e kalimit të pacientëve në strukturat private është një skemë e vjetër që funksionon në Shqipëri prej vitesh. Ndodh thuajse çdo ditë, në të gjitha klinikat e QSUT. Por të ndodhë në një klinikë delikate si Onkologjiku, ku trajtohen të sëmurë, o terminal, o në gjendje të rëndë, nuk është gjë tjetër veçse një tentativë vrasjeje me dashje.
E ç’është më e rëndë në këtë rast, është mosveprimi i ministrisë së Shëndetësisë, që kur është lëshuar alarmi nga ‘Pamfleti’, apo edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ky nuk është gjë tjetër veçse shpërdorim i pastër i detyrës, një vepër penale, të cilën e heton Prokuroria Speciale ndaj krimit dhe korrupsionit.
E gjitha kjo është një kronikë e paralajmëruar, pasi sistemi që është ngritur në Shëndetësinë publike ka si bazë, favorizimin e privatëve. Kjo që nga shërbimet bazike me buxhet shteti si PPP-të e check- up apo sterilizimi, e të tjera PPP si laboratorët, apo shërbimet me faturë.
Thuajse të gjithë ekzaminimet e rëndësishme të shëndetit parësor, shumica e popullsisë i bën në laboratorët privatë, sepse ata të shtetit ja u sjellin në majë të hundës, gabojnë të dhënat, me një fjalë nuk vlejnë për asgjë.
Mjekët e familjes, janë kthyer në dispeçerë, e nuk pranojnë të japin asnjë shkresë, sepse e kanë urdhër që pacienti të bëjë check- up te laboratorët e Vilma Nushit që Rama ja ka dhënë në të gjitha ambulancat shtetërore.
Krimi i onkologjikut, është e gjitha lojë masakre, një mekanizëm ku të babëziturit fitojnë para me shëndetin e qytetarëve. E këtë, e kemi shkruar shpesh, por askush nuk e ka çarë kokën. Dorëheqja e një ministreje është shumë pak, këtu duhet një përgjegjësi penale për vrasje të paralajmëruar./Pamfleti
Lini një Përgjigje