
Pas debateve që pati në Kuvend me Gazmend Bardhin, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar sërish lidhur me akuzat se ai ka porositur dy kate, në pallatin që po ndërtohet pranë parkut të liqenit në Tiranë.
Me anë të një postimi në “Facebook”, ai hodhi poshtë akuzat teksa shtoi se aleanca e non-gratave po tenton që të bëjë pis dhe të marr peng PD.
Ai shtoi se të gjitha akuzat janë mashtrime, të ngritura nga një person -duke ju referuar Bardhit- i cili sipas tij sot bashkëpunon me dikë që deri dje e quante vrasës.
“Aleanca e kullave dhe e non gratave nuk do ta bëjë pis e as do ta mbajë peng Partinë Demokratike. Njerëzit e dinë mirë çfarë përfaqësojnë këta individë dhe interesave të kujt i shërbejnë. Janë të njëjtët që sot flirtojnë me atë të cilit dje i thoshin vrasës.
Sa për gënjeshtrat e fundit: Unë as nuk kam porositur kulla dhe as nuk kam marrë kate në asnjë kullë. Këto janë mashtrime të dëshpëruara, pjesë e lojës së pisët dhe të vjetër të baltosjes.
Ndërsa çështja McGonigal është kthyer në aktakuzën më të rëndë ndaj sulmeve të ulëta kundër meje prej Edi Ramës e Sali Berishë, si edhe prej kujtdo tjetër që po përdoret prej tyre. Se kush e shpëtoi Edi Ramën nga llogaridhënia për Kosovën, e pamë mirë në konferencën e djeshme të kryetarëve dhe në konsensusin për të ruajtur imazhin e Ramës.
Kaq në respekt të qytetarëve, sepse asgjë nuk pres nga ata që për hallet dhe karriket e tyre, duan të na shfokusojnë nga problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Ashtu si padrinoja non grata e humbi luftën e shpifjeve disa vjeçare, pasi koha e nxorri të vërtetën në dritë, edhe zëdhënësin e tij të radhës e pret i njëjti fat”, shkruan Basha.
Lini një Përgjigje