TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Mars 2025, 10:43

Si po i humb Evropa vendet e Ballkanit Perëndimor

Shkruar nga Katerina Jakimovska

 Si po i humb Evropa vendet e Ballkanit Perëndimor

Nisur nga zhvillimet e viteve të fundit, ato po nisin të ndjekin interesat e tyre pragmatike...

Javët e fundit kanë sjellë ndryshime të mëdha në gjeopolitikën globale. Shtetet e Bashkuara u distancuan nga aleati i tyre i vjetër strategjik, Bashkimi Evropian. Brenda pak javësh, Evropa u detyrua të bëjë një analizë të situatës dhe të nisë përgatitjet për t’iu përshtatur rrethanave.

Pas Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për një samit urgjent me anëtarët e BE-së teksa vizitoi Uashingtonin. Vendet evropiane, së bashku me Turqinë dhe Kanadanë, rikonfirmuan mbështetjen e tyre të qartë për rezistencën e Ukrainës kundër pushtimit rus.

Ndërkohë, të gjithë janë ende në pritje të përgjigjes së Rusisë ndaj armëpushimit 30-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Ukraina. Natyra imperialiste e këtij ripozicionimi gjeopolitik që po i rivizaton kufijtë pa kontributin e Evropës, është shumë alarmant.

Por këtu ngrihet edhe një pyetje tjetër jetike: çfarë ndodh me fuqitë jo të mëdha, vendet e vogla dhe të mesme brenda dhe jashtë BE-së? Ballkani Perëndimor, mbetet i pambrojtur ndaj ndikimeve të jashtme nga aktorët joperëndimorë, pavarësisht paralajmërimeve ndaj Brukselit për një angazhim të shpejtë dhe më të plotë në rajon në përputhje me politikën e zgjerimit.

Zhvillimet e reja në marrëdhëniet transatlantike dhe miqësia e re midis SHBA-së së Trump dhe të djathtës ekstreme evropiane nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, do të kenë patjetër ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe në mënyrën më të pafavorshme për Bashkimin Evropian.

Ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut dhe avokati personal i Donald Trump, Rudy Giuliani, shkoi në Banja Luka të Bosnje Hercegovinës, për të mbështetur Milorad Dodik (presidentin e Republikës Srpska) përpara vendimit për kundërshtimin e tij e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë për Bosnje Hercegovinën.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, foli në fillim të këtij muaji në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Uashington. Qeveria serbe mban lidhje të ngushta me Richard Grenell, i dërguari special për Serbinë dhe Kosovën, i cili e ka kritikuar hapur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, dhëndri i presidentit Trump arriti një marrëveshje për ndërtimin e Kullës Trump në Beograd, dhe e vizitoi së fundmi kryeqytetin serb. Në dritën e ngjarjeve të fundit, diskutimi mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor duket shumë periferik, pasi Evropa ka nevojë për një përshtatje urgjente të narratives së saj.

Mbështetja publike për anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor është vetëm 35 për qind. Protestuesit në Serbi po e fajësojnë BE-së, si bashkëpunëtore të rrëshqitjes së vendit në autokraci. Pyetja më emergjente është nëse BE-ja do të jetë në lartësinë e sfidave që ka përpara, duke prezantuar apo ajo një agjendë konkrete të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor?

Çdo shtet ka të drejtën sovrane të ndërtojë partneritete, dhe të përpiqet të gjejë vendin e tij në një botë që po ndryshon me shpejtësi. Vendet e lartpërmendura, kanë mbetur të mbërthyera në një tunel që nuk ka fund, të ndara midis mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe kushtëzimit të paqartë mbi parimet bazë, sikurse është edhe ai i sundimit të ligjit.

Kjo qasje duket si jo parimore, duke qenë se ka kohë që Brukseli po bën një sy qorr ndaj sjelljes së disa vendeve. E megjithatë BE-ja, mbetet ende një rojtare e botës së lirë dhe demokracisë liberale perëndimore siç e njohim ne. Qëndrimi përkrah Ukrainës, nuk është vetëm një angazhim politik dhe moral ndaj kontinentit evropian, por edhe një vlerë në vetvete.

Të detyrosh një fqinj të lëshojë territore dhe t’i nënshtrohet synimeve imperialiste, është e kundërta e qasjes që duhet të ketë Ballkani. Zhgënjimet e rajonit me BE-në nuk janë të pabaza. Por të qëndrosh në anën e një vendi që mohon ekzistencën e një kombi të tërë, gjuhën dhe sovranitetin e tij, është kontradiktore me betejat aktuale politike në të cilat janë zhytur vendet e Ballkanit Perëndimor. Po çfarë mund të presim në një periudhë afatmesme?

Bazuar në interesat e veta, secili prej vendeve, do të vazhdojë të ushqejë marrëdhënie të shumëfishta dhe të marrë më të mirën prej tyre. Kryesisht, fokusi do të jetë në zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe mbështetjen politike. Sfida kryesore, qëndron në rënien e mundshme të efektivitetit të mekanizmit kushtëzues të “karotës dhe shkopit” që përdor BE-ja.

Vendet që kanë tashmë probleme të rënda me sundimin e ligjit, demokracinë dhe korrupsionin nuk do të shohin asnjë arsye për të vazhduar me demokratizimin dhe reformat institucionale të nevojshme për anëtarësimin në BE, sepse alternativat po u ofrohen pa u kushtëzuar nga kryerja e detyrave të shtëpisë.

Ndaj, interesat e elitave qeverisëse do të kenë përparësi, polarizimi në shoqëri do të thellohet më tej, dhe nacionalizmi do të kthehet në një kërcënim tjetër të sigurisë. Në rajon ka një trashëgimi të lëvizjes së të paangazhuarve (e kryesuar dikur nga Jugosllavia).

Ne kemi nevojë që BE-ja ta ofrojë atë perspektivë të shumëpritur, përndryshe duhet të presim një politikë më të hapur ndaj SHBA-së, Rusisë dhe Kinës dhe angazhimin për një diplomaci multivektoriale nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo qasje pragmatike, do të ishte pasojë e mundësisë së humbur të BE-së, por edhe e guximit për të vepruar sipas qëllimeve të saj strategjike dhe ngurrimit për reforma dhe zgjerim. Me një autonomi strategjike të vonuar, zhvillimin e Ukrainës në rrezik, dhe Ballkanin Perëndimor që po braktis rrugën drejt anëtarësimit, Evropa do të mbetet me një të ardhme të pasigurt, e përçarë dhe e vetmuar./Përgatiti Pamfleti

evropa ballkani perëndimor

Lini një Përgjigje