Pas shkëputjes së marrëdhënieve më 7 Shtator të 2022-it, Irani po tenton të ketë sërish prezencë në Shqipëri.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian thotë se një seksion i interesit iranian do të hapet në Shqipëri nëpërmjet Turqisë në mungesë të marrëdhënieve diplomatike me Tiranën.
Hossein Amir-Abdollahian zbuloi të shtunën se ministria e jashtme iraniane ka rënë dakord të hapë një seksion në Shqipëri për interesat iraniane nëpërmjet Turqisë.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve IRNA, ministri Amir-Abdollahian në një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Mevlut Cavusoglu falenderoi gjithashtu qeverinë turke për mbështetjen e saj në këtë drejtim.
Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet e saj diplomatike me Iranin në shtatorin e kaluar, duke akuzuar Republikën Islamike për sulme kibernetike kundër infrastrukturës së vendit.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Iranit kanë qenë të tensionuara prej vitesh për shkak të pritjes së vendit evropian të organizatës së grupit opozitar Mojahedin-e Khalq (MEK).
Tirana akuzoi Teheranin për kryerjen e një sulmi kibernetik kundër institucioneve shqiptare për të "paralizuar shërbimet publike dhe hakuar të dhënat dhe komunikimet elektronike të sistemeve qeveritare".
"Kjo përgjigje ekstreme është plotësisht në proporcion me gravitetin dhe rrezikun e sulmit kibernetik që kërcënoi të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në intranet dhe të ngjall kaos dhe pasiguri në vend." Tha kryeministri i Edi Rama mëngjesin e 7 shtatorit kur njoftoi shkëputjen e marrëdhënieve me Teheranin zyrtar.
Një tjetër sulm gjithashtu ishte planifikuar të bëhej rreth kohës së një konference të MEK që ishte parashikuar të mbahej në Durrës.
Në fillim të gushtit, firma e sigurisë kibernetike Mandiant tha e sulmuesit po vepronin në mbështetje të përpjekjeve të Teheranit për të prishur konferencën e MEK.
Konferenca e 23-24 korrikut nga grupi disident, e titulluar Samiti Botëror i Iranit të Lirë, u anulua pas paralajmërimeve nga autoritetet lokale për një kërcënim të mundshëm terrorist. Disa ligjvënës amerikanë ishin gjithashtu midis të ftuarve.
Në ambasadën e Iranit në Tiranë ishin 72 diplomatë. Në periudhën e demokracisë, ky është rasti i parë që Shqipëria prish marrëdhëniet diplomatike me një shtet tjetër, ndërkohë që edhe në 2018, Shqipëria ka dëbuar ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Ky vendim drastik erdhi pas sulmit kibernetik që iu bë Shqipërisë përgjatë muajit korrik 2022 ku të gjitha shërbimet publike online dhe faqet qeveritare u mbyllën përkohësisht.
Shërbimet u kthyen në funksion të plotë pas katër javësh.
Lini një Përgjigje