TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Tetor 2024, 14:57

SHBA dhe BE kërkojnë dialog, reagon Bardhi: Nuk i nënshtrohemi dhunës së Ramës!

Shkruar nga Pamfleti
SHBA dhe BE kërkojnë dialog, reagon Bardhi: Nuk i nënshtrohemi
Gazment Bardhi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me deklaratat e BE-së dhe Ambasadës së SHBA-së, për dhunën dhe kaosin në Kuvend.

Bardhi theksoi se tentativa e mazhorancës për të zhbërë opozitën është akt antidemokratik . Ai tha se PD është shumë e shqetësuar për shkatërrimin e balancës së pushteteve.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD  theksoi se nga protestat apo aktet simbolike, nuk i rrezikohet jeta askujt, vetëm i rrezikohet pushteti Ramës. Teksa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim, Bardhi shprehet se reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi, janë forma me të cilën opozita do të reagojë. Ai sqaron se nuk do i nënshtrohen dhunës së Ramës.

“Nuk ka akt më antidemokratik sesa tentativa për të zhbërë opozitën. Nuk ka akt më brutal dhe të dhunshëm sesa të burgosesh për fjalën e lirë.

Nuk ka autoritarizëm më të madh sesa të injorosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të refuzosh të dorëzosh para drejtësisë një deputet të mazhorancës.

Nuk ka veprim më të dhunshëm sesa të marrësh hapur autorësinë e vendimeve politike të gjykatave që burgosin opozitën dhe të kërcënosh me fjalor rruge këdo që guxon të denoncojë lidhjet e Edi Ramës me krimin e organizuar.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike dhe çdo qytetar i ndershëm në këtë vend, është thellësisht i shqetësuar për shkatërrimin e balancës mes pushteteteve, asgjësimit të parimeve demokratike, shantazhit dhe dhunës ndaj opozitës e qytetarëve, rikthimit të metodave të Sigurimit të Shtetit për përndjekjen kundër opozitës dhe qytetarëve, apo ngritjes në majat e pushtetit të krimit të organizuar.

Dialogu është mjet i duhur në vende demokratike, ku mosmarrëveshjet zgjidhen në rrugë institucionale. Por një vend, ku shumica në Parlament injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese kur ato janë në favor të opozitës, nuk është as demokratik dhe as krijon mundësinë për ndjekjen e rrugëve institucionale.

Nga protesta apo aktet simbolike nuk i rrezikohet jeta askujt, përveçse rrezikohet pushteti personal i Edi Ramës! Nga përballja me krimin e organizuar dhe qeverisjen e kriminalizuar të lidhur me të, që është mision i çdo deputeti që mbron interesin publik, i rrezikohet jeta e prona kujtdo, çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë.

Për këtë arsye, reagimi, rezistenca dhe mosnënshtrimi është e vetmja formë që i mbetet opozitës për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin ligjor. Me keqardhje rikonfirmoj se e kemi të pamundur t’i nënshtrohemi dhunës së Edi Ramës, të lejojmë asgjesimin e çdo  grimce lirie në këtë vend apo të pranojmë në heshtje instalimin e shtetit të tij personal”, shprehet Bardhi.

kaosi ne kuvend gazment bardhi

Lini një Përgjigje