Ashtu siç e kishte paralajmëruar, Ervin Salianji ka nisur ‘betejën gjyqësore’ duke kërkuar pezullimin e vendimit në Gjykatën e Lartë.
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë kërkesën për pezullimin e vendimit të Gjykatës së Apelit ku e dënoi me burgim për kallëzim të rremë.
Vendimi i formës së prerë të Apelit i ndërpreu jo vetëm mandatin aktual Ervin Salinajit, por i pamundësoi edhe rikandimin për deputet për shkak të ligjit të dekriminalizimit
“Ne kërkojmë nëpërmjet kësaj kërkese pezullimin e ekzekutimit, ose shtyrja e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për një denoncim publik të kryer në maj të vitit 2018, denoncim ky që në kundërshtim me çdo normë të rendit juridik në fuqi në vendin tonë, është konsideruar si konsumim i veprës penale të “kallëzimit të rremë” të parashikuar nga neni 305 i K.Penal”, thuhet në kërkesë.
Më tej, në kërkesë thuhet se ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit.
“Ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.









Lini një Përgjigje