Ditën e sotme ka pasur sërish tensione para Kryesisë së Kuvendit. Deputeti i PD-së, Edmond Spaho ndonëse është paraqitur sipas njoftimit të Gazment Bardhit për të qenë në mbledhjen e grupit, është penguar nga Garda e Republikës.
Ky deputet vazhdon të jetë i përjashtuar nga jeta parlamentare, pas vendimit të Sekretariatit të Etikës.
Sot në orën 12:00, Gazment Bardhi ka thirrur në një mbledhje grupin parlamentar, në Kryesinë e Kuvendit.
Ndërkohë tensionet dhe kaosi i shkaktuar në Kryesinë e Kuvendit nga ana e opozitës ka bërë që komisionet të zhvillohen edhe këtë të hënë online.
Sot janë parashikuar që të mbahen 7 komisione, disa prej të cilave po mbahen aktualisht online. Raportohet se deri më tani i vetmi komision që do të mbahet në Kryesi është ai për Sigurinë Kombëtare.
Mësohet se në këtë komision, i cili do të mbahet me dyer të mbyllura, do të diskutohet mbi projektbuxhetin e vitit 2024, ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të Shërbimit Informativ Shtetëror.
Lini një Përgjigje