TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Gusht 2024, 15:23

Sekuestro/ SPAK i hoqi vetëm “1 qime” buallit të korrupsionit Ilir Beqja

Shkruar nga Pamfleti
Sekuestro/ SPAK i hoqi vetëm “1 qime” buallit të
Ilir Beqja /

Atij i janë zbuluar shumë pasuri, të vëna gjatë e pas largimit nga detyra e Ministrit të Shëndetësisë, ku dha 4 koncesionet; Check-up, Hemodializa, Pajisjet Mjekësore e Laboratorët me vlerë 470 milionë Euro për të cilët është në hetim dhe pas emërimit drejtor donacionesh...

SPAK njoftoi se ka sekuestruar pasuritë e Ilir Beqjes dhe 6 bashkëpunëtorëve të tij, duke publikuar vlerat totale financiare, aksionet dhe makinat, por pa i specifikuar për secilin prej tyre, kur ligji e detyron prokurorin e çështjes, t’i detajojë pasuritë e sekuestruara për secilin.

Sipas njoftimit të SPAK, ish-ministrit Ilir Beqja i janë sekuestruar 19.4% e kuotave të firmës “Albanian Food and Hospitality Services Sh.p.k” baraz me vlerën 194 Euro, por i ka lënë pa sekuestruar 80.6% të kuotave të kësaj firme, që “de facto” janë pronësi e tij.

Në dosjen që ka hartuar BKH, thuhet se pasuri e kësaj firme është restoranti “Gzona” te Kalaja e Tiranës, me vlerë investimi 1 milionë Euro dhe ka asete 5 makina, 1 apartament, 4 troje në Tiranë, Vlorë e Velipojë dhe 410 mijë Euro llogari në emër të gruas e vajzës së tij.

Por SPAK nuk ia ka sekuestruar, megjithëse këto pasuri janë vënë gjatë detyrës Ministër i Shëndetësisë, kur sajoi, urdhroi, firmosi dhe dha 4 koncesionet; Check-up, Hemodializa, Pajisjet Mekësore e Laboratorët, me vlerë 470 milionë Euro për të cilët është nën hetim.

Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti” nga burime brenda BKH, rezulton se Ilir Beqjes i janë sekuestruar vetëm 47 mijë Euro që iu gjetën në banesë ditën e arrestimit, ndërsa vlera totale 200 mijë Euro dhe 3 makinat janë të Ermal Kurtulajt e 4 personave të tjerë.

Me këto sekuestrime, SPAK i hoqi vetëm “1 qime” të pasurive, “buallit” të korrupsionit Ilir Beqja, ndërkohë që BKH ka skeduar të gjitha pasuritë e deklaruara e të fshehura të tij; të vëna pas datës 9 shtator 2013 kur nisi detyrën si Ministër Shëndetësie, pastaj drejtor i donacioneve të huaja në kryeministri e deri më 4 korrik 2024 kur u arrestua.

Në dosje, thuhet se Ilir Beqja akuzohet për korrupsion, deklarim të rremë të pasurive e pastrim parash, por nuk iu sekuestruan 2 fermat “Albania Ionian Coast Olive Oil” dhe “Agro Isaku”, të ngritura mbi 24 ha ullishte, agrume, vreshta, fabrika vaji e pijesh, hotel e restorante në Finiq.

Sipas raportit hetimor të BKH, Ilir Beqja i nisi investimet në këto 2 ferma, 1 vit pasi u largua nga detyra e Ministrit të Shëndetësisë dhe filloi aktivitetin më 9 janar e 19 qershor 2019, njëkohësisht me hapjen e restorantit “Gzona” te Kalaja e Tiranës.

Nuk iu sekuestrua as hoteli me 6 kate, buzë detit te zona turistike pranë Portit të Peshkimit në Sarandë, mbi tokë ushtrie të dhuruar nga ish-ministrja Olta Xhaçka dhe ndërtuar nga firma “Gjozeza Sh.pk” me pronar Llambro Zhupa, ortak i Ilir Beqjes te fermat në Finiq.

Nuk po i sekuestrohen as apartamentet në Tiranë, Vlorë, Himarë, Velipojë, Durrës, vila në Lalz etj., vënë pas firmosjes së koncesioneve mjekësore, madje 2 apartamente dhe 1 truall 1500 m2 në Velipojë, që i ka blerë pas emërimit Drejtor i Donacioneve të BE.

Ilir Beqjes nuk i janë sekuestruar as 5 apartamente e 2 lokale te kullat në Lungomaren e Vlorës, të ndërtuar nga Kujtim Llapi nga Tepelena, ish-Drejtor i Spitalit Psikiatrik të Vlorës e prej 5 vitesh, Drejtor i Operatorit Shëndetësor për Rajonin Jugor; i cili i ka ndërtuar me kompaninë “Mak 2010 Sh.p.k”, ku është ortak 34% me Marion Mitron, anëtar i bandës së Julian Sinanajt.

Sipas neneve 257/a/2, 258/2, 244, 259/2 e 287/2 të Kodit Penal, Ilir Beqjes i duheshin sekuestruar të gjitha pasuritë e deklaruara e të fshehura që i janë zbuluar deri tani; të cilat dyshohen e ka prova, se janë vënë nëpërmjet korrupsionit e pastrimit të parave gjatë dhe pas ushtrimit të detyrave shtetërore./Pamfleti

Lini një Përgjigje