TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Nëntor 2024, 11:19

Sekretet e familjes “Trump”; mes politikës dhe biznesit

Shkruar nga Khaleda Rahman
Sekretet e familjes “Trump”; mes politikës dhe biznesit
familja Trump dhe Elon Musk, natën e fitores së zgjedhjeve /

Jo zyrtarisht në qeveri, po familja e Trump do t’i gjejë mënyrat për të fituar shumë para edhe këtë mandat...

Presidenti i porsazgjedhur i SHBA-së Donald Trump, u shoqërua në skenë nga të gjithë fëmijët dhe anëtarët e tjerë të familjes, kur festoi fitoren e tij të madhe javën e kaluar. “E gjithë skuadra!”- shkroi në rrjetet sociale mbesa e tij Kai Trump, përbri një fotoje nga nata e zgjedhjeve, ku shihej familjen e ngushtë e Trump dhe Elon Musk, edhe pse mungonte gruaja e tij aktuale Melania Trump.

Ndërsa disa nga të afërmit e Trump nuk u shfaqën fare gjatë fushatës, prania e tyre në krah të tij natën e zgjedhjeve, nxiti spekulimet se atyre do t’u jepen sërish role të spikatura në administratën e tij të ardhshme. Trump e ka mbajtur pranë prej kohësh familjen e tij, si në biznes ashtu edhe në politikë.

Por ai deklaroi vitin e kaluar se në dallim nga mandati i tij i parë, nuk do t’i përfshinte fëmijët në administratën e dytë në rast se do të hynte sërish në Shtëpinë e Bardhë. “Është shumë e dhimbshme për familjen. Familja ime ka përjetuar Ferrin në atë kohë”- tha ai për televizionin Fox News. Dhe deri më tani, duket se po i qëndron fjalës.

Ivanka Trump dhe Jared Kushner janë tërhequr nga politika

Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, ishin këshilltarë të lartë në administratën e parë Trump. Donald e ka lavdëruar shpeshherë vajzën e tij të madhe, duke thënë se ajo mund të kandidojë një ditë për presidente, dhe se ai do të donte ta emëronte si ambasadoren e tij në Kombet e Bashkuara.

Ndërsa ajo dhe bashkëshorti i saj ishin shumë aktivë gjatë 2 kandidimeve të tij të para për Shtëpinë e Bardhë, Ivanka njoftoi se do të tërhiqej nga politika që në momentin që i ati shpalli synimin e tij për të kandiduar sërish për në Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e këtij viti.

 Ajo u shpreh në nëntorin e vitit 2022:”Edhe pse do ta dua dhe do ta mbështes gjithmonë tim atë, kam vendosur që në të ardhmen ta bëj këtë jashtë skenës politike”. As Ivanka dhe as bashkëshorti i saj nuk kanë në plan që t’i rikthehen politikës, teksa i kanë kaluar vitet e fundit në Florida.

Ndërkohë djemtë e Trump, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, u angazhuan në fushatën e fundit për të mbështetur babanë e tyre, por duket se asnjëri nuk do të ketë ndonjë post zyrtar në administratën e tij. Donald Trump Jr deklaroi të dielën e kaluar se nuk do të jetë pjesëtar i administratës së babait të tij.

Ai po i bashkohet kompanisë 1789 Capital, investimet e së cilës përfshijnë edhe kompaninë mediatike të gazetarit konservator Tucker Carlson. Po ashtu, Eric Trump është nënkryetar ekzekutiv i Organizatës Trump, dhe duket se do të vazhdojë të drejtojë biznesin familjar.

Nuk ka asnjë shenjë që fëmijët më të vegjël të Trump do t’i bashkohen administratës së tij.

Vajza e tij më e vogël, Tiffany Trump, e diplomuar për drejtësi në vitin 2002, është shtatzënë me fëmijën e saj të parë. Ndërkohë djali i tij më i vogël, Barron, sapo ka nisur universitetin në Stern School of Business në Nju Jork. Profesori i shkencave politike në Universitetin Northeastern, Costas Panagopoulos, thotë për Newsweek se anëtarët e familjes së Trump ishin nën një “mbikëqyrje të madhe” gjatë mandatit të tij të parë, ndaj mund të jenë më pak të interesuar të mbajnë poste publike gjatë administratës së dytë.

“Për disa anëtarë të familjes, ndërmjetësimi gjatë momenteve më kyçe, si ai i Ivanka Trumpit gjatë trazirave të 6 janarit 2021, me një sukses të kufizuar, ka të ngjarë të ketë qenë zhgënjyes dhe i dëmshëm për reputacionin e tyre. Për këtë arsye, këtë herë ata preferojnë që të qëndrojnë mënjanë”- shton ai.

Melania Trump ka të ngjarë të shmangë Shtëpinë e Bardhë

Thuhet e ish-Zonja e Parë por dhe e ardhshme e SHBA-ë, nuk planifikon të kalojë më shumë kohë seç duhet në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të dytë të bashkëshortit të saj. Revista “People” ka raportuar se planifikon ta ndajë kohën e saj midis një apartamenti privat në Uashington, rezidencës Mar-a-Lago në Florida dhe shtëpisë së saj në Nju Jork, qytet ku edhe studion fëmija i saj i vetëm, Barron Trump.

“Ajo do të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në Shtëpisë së Bardhë, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Melania e di se çfarë duhet bërë, por për jetën private ka mendjen e saj”-tha një burim për revistën. Kjo zgjedhje mund të jetë diktuar nga ndikimi që patën thashethemet në rrjet tek djali i saj gjatë mandatit të parë të Donald Trump.

Ajo është shprehur pak kohë më parë se djali i saj pësoi “dëme të pariparueshme”, pasi u ngacmua në internet por edhe në jetën reale. Vendimi i saj për të anashkaluar një takim tradicional në Shtëpinë e Bardhë me Zonjën e Parë në largim Jill Biden të mërkurën, e përforcon idenë se ajo synon të ketë tani një pavarësi më të madhe.

Lara Trump do ta reformojë Partinë Republikane

Personi që u rreshtua në krahun e djathtë të Trump në festën e fitores ishte nusja e djalit të tij, Lara Trump. Ajo është e martuar me Eric Trump, dhe u zgjodh nga i vjehrri në pranverë të këtij viti si bashkë-kryetare e Komitetit Kombëtar Republikan, teksa synonte ta vendoste partinë nën kontrollin e tij të fortë.

Në këtë rol, ish-producentja televizive ka qenë një nga avokatet më të zëshme të Trumpit në media, ndikoi në shtimin e fondeve për fushatën, ndërsa ka drejtuar edhe nismën e partisë për “integritetin e zgjedhjeve”. Në kushtet kur Partia Republikane e ka rifituar kontrollin e Senatit, dhe me siguri që do ta mbajë shumicën në Kongres, Lara ua ka mbyllur gojën atyre që kanë vënë në dyshim aftësitë e saj. Dhe vjehrri i saj, ka të ngjarë që t’i shpërblejë përpjekjet e Larës.

Një rreth më i gjerë

“Trump dhe familja e tij e kanë përjetuar më parë presidencën, ndaj ai tani ka një perceptim më të qartë të gjërave, një ndjenjë më të saktë të lojtarëve që duhet të përfshijë, dhe se kush ka besimin e tij”-shprehet Grant Davis Reeher, profesor i shkencave politike në Universitetin e Sirakuzës.

Prandaj sipas tij është e kuptueshme që tani ai ka më pak nevojë për t’u rrethuar nga anëtarë të besuar të familjes. “Trump ka këtë radhë një rrjet shumë më të gjerë, ku mund ta përzgjedhë midis atyre që e kanë treguar besnikërinë e tyre, që e di se mund t’u besojë për të punuar me të në zbatimin e axhendës së tij”-thotë Panagopoulos.

Ai shton se Trump do të synojë t’i shpërblejë njerëzit më të rëndësishëm që e mbështetën kandidaturën e tij, shpeshherë kur kjo gjë ishte shumë e vështirë, dhe kur mund t’u ketë sjellë dhe kosto politike. “Faturat kanë mbërritur, dhe është koha që Trump të nisë t’i paguajë”- thotë politologu.

Matthew Dallek, historian i politikës në Shkollën e Menaxhimit Politik të Universitetit Xhorxh Washington, thotë për Newsweek se ishte një zhvillim “i mirëpritur” që familja e Trump nuk do të mbajë poste publike në administratën e tij të dytë. Por ai thekson se kjo nuk do të thotë se ajo nuk do të përpiqet të përfitojë nga presidenca e tij.

“Duket si diçka pozitive që Don Jr., nuk do të jetë shef i stafit apo këshilltar special. Por familja do ta gjejë një mënyrë për të fituar shumë para nga mandati i dytë i Trump”- tha ai. Duke vënë në dukje raportimet se si Trump përfitoi nga presidenca e tij gjatë mandatit të parë, Dallek thekson se në mandatin e dytë është shumë i madh “potenciali për korrupsion”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë në korrik mbi imunitetin presidencial, i jep Trumpit “një lloj çeku të bardhë për të pasuruar veten dhe familjen e tij” shton Dallek./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”

 

sekretet e familjes trump politika biznesi

Lini një Përgjigje