TAGS-AT E JAVËS

Politike27 Nëntor 2025, 08:13

Seanca për dosjen 'Meta', Gjykata e Lartë shqyrton sot rekursin e ish-presidentit për masën e sigurisë

Shkruar nga Pamfleti

Seanca për dosjen 'Meta', Gjykata e Lartë shqyrton sot

Sot në orën 12:30 zhvillohet në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe 3 të tjerëve, pasi herën e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit Kujtim Cakrani.

Po ashtu, sot në të njëjtën orë, edhe Gjykata e Lartë do të shqyrtojë në dhomë këshillimi rekursin e ish-presidentit për masën e arrestit në burg’. Relatori do të jetë Ilir Panda, pasi gjykata ia rrëzoi kërkesën Metës për përjashtimin e tij.

Ndërkohë, më herët, pritet të shihet nëse GJKKO do të vendosë për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Më herët, seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi. Avokati i Metës po ashtu pretendon se SPAK ka shkelur procedurën me paraqitjen e provave të reja lidhur me lobimin e LSI në SHBA, në një kohë kur hetimet për dosjen i ka mbyllur që në korrik.

Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, me pretendimin se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Meta, në paraburgim që prej tetorit 2024, këmbëngul me kërkesën e tij se po mbahet në qeli pa akuzë.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.

 

Lini një Përgjigje