
PD e Rithemelimit tha se po përgatit një padi penale dhe do të dërgojnë në SPAK shkeljet e ndodhura në provimin e Magjistraturës. Përfaqësuesi ligjor, Ivi Kaso tha se kjo është një provë tjetër se çfarë është drejtësia e re.
“Të pakënaqur me fituesit, ish-prokurori socialist, tashmë drejtor i shkollës së Magjistraturës, me urdhër partiak ka futur në listë 40 emra jofitues, patronazhistë të rilindjes, të nxjerrë nga mënga e pushtetit.
Me qëllimin e njohur dhe të vetëm kapjen e sistemit të drejtësisë përfundimisht edhe për katër dekadat e ardhme. Një plan ogurzi që nuk ndryshon nga ai i Enver Hoxhës që i ktheu gjykatat në tualete të pushtetit politik.
U bë më shumë se një javë nga zbulimi i skandalit te Magjistratura dhe asnjë reagim nga struktura drejtuese e drejtësisë.
Sigurisht, nga drejtuesi i shkollës nuk pritej asnjë reflektim, pasi ai është aty si shpërblim për aktivitetin e tij ekstra jurdik dhe politik.
Pyetja është: po bordi që përbëhet nga Prokurori i Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë, kryetari i KLP etj., pse hesht? Ende nuk është thënë asgjë, ende nuk është marrë asnjë masë, ende nuk është bërë asnjë transparencë”, ka thënë Kaso.
Ndërkohë Partia Demokratike u kërkon aleatëve ndërkombëtarë të ndërhyjnë pasi vlerëson se kjo po kthehet në një drejtësi klienteliste dhe politike.
“Një drejtësi në dorën e një force politike është një fyerje për taksapaguesit amerikanë dhe europianë, për ekspertët e tyre, që kanë kontribuar në Shqipëri që nga viti 1992.
Profilet e bandës me 40 patronazhistë të Ali Babës së pseudodrejtësisë, të hetuara nga mediat këto ditë dëshmojnë qartë se të gjithë personat e shtuar në listën e fituesve punojnë në institucione të administrates, ose vijnë direkt nga zyrat e patronazhimit të PS.
Juristët e administratës dhe të qeverisë së Ramës gradohen, jo për merita në jurisprudencë por për militancë politike.
Ky është turp që taksapaguesit shqiptarë nuk duhet ta pranojnë.
Në dyert e gjykatave trokitet për ligjin, jo me teserën e Partisë Socialiste në xhep.
Nëse nuk parandalohet ky projekt vrastar, ky do të jetë realiteti nesër.
Partia Demokratike po përgatit padinë penale dhe do ta çojë në SPAK këtë skandal të rëndë që dëmton infrastrukturën e shtetit, dhe hedh në erë ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e gjyqësorit”, tha Kaso në deklaratën e tij.
Lini një Përgjigje