TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Shtator 2025, 17:22

Rifillon mbledhja në Kolegjin Zgjedhor/ Përplasje për provat, Salianji akuzon gjykatën për tejkalim kompetencash

Shkruar nga Pamfleti

Rifillon mbledhja në Kolegjin Zgjedhor/ Përplasje për provat,

Pas tërheqjes në dhomë këshillimi, Kolegji Zgjedhor ka rifilluar sot mbledhjen, mes tensioneve të rritura mbi kërkesat për prova shtesë që mund të ndikojnë në fatin e mandateve parlamentare.

Ndërkohë që mazhoranca socialiste këmbëngul për një rihapje të plotë të procesit, përfaqësuesi i Partisë Demokratike, avokati Eridian Salianji, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të gjykatës dhe ka akuzuar institucionin për shkelje të kufijve ligjorë.

Në qendër të debatit janë vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpërndarjen e mandateve në 12 qarqe, të cilat PS kërkon t’i dorëzojë si prova bashkë me ankesat përkatëse për secilin rast. Kjo lëvizje është interpretuar nga opozita si përpjekje për të relativizuar vendimet e formës së prerë dhe për të shtyrë procesin në një drejtim të paparashikuar nga ligji.

Avokati Salianji deklaroi se gjykata po del jashtë objektit të gjykimit, duke ndërhyrë në akte të përfunduara që nuk janë kërkuar për shqyrtim nga asnjë palë. Ai kërkoi gjithashtu që të vihet në dispozicion një kopje e të gjitha provave të reja, duke paralajmëruar për mungesë transparence dhe tejkalim të kompetencave nga ana e Kolegjit.

Vendimi për Tiranën është gjykuar më parë. Ne kërkojmë të gjitha vendimet që kanë ndryshuar vendimet e shpalljes së mandatit. Po shkojmë drejt një gjykimi jashtëligjor”, deklaroi Salianji në sallë.

Në këtë klimë të ndezur procedurale, pritet me interes se çfarë do të vendosë Kolegji dhe nëse kërkesat e PS-së do të hapin rrugë për rishqyrtim të plotë të përbërjes parlamentare apo do të refuzohen si të pabaza. Kjo mbledhje mund të shënojë një precedent të rrezikshëm për integritetin e proceseve zgjedhore në vend.

Lini një Përgjigje