
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD-së dhe bashkëkryetar i komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore, e konsideron realizimin e një reforme të tillë si nevojë kombëtare.
Ai tha se vitin e kaluar nuk pati reformë zgjedhore reale, pasi rekomandimet e ODIHR u rrëzuan nga mazhoranca. “Kërkesa jonë kryesore ishte rikthimi i koalicioneve, që PS i hoqi me ndryshimet e vitit 2020. Përgjigja që morëm nga negociatorët socialistë ishte: ‘Rama nuk është budalla të na kthejë atë që hoqëm vetë’,” tha Bylykbashi.
Ai shtoi se sistemi aktual zgjedhor, i miratuar në vitin 2020, është “sistemi Gjiknuri”, që sipas tij “vret demokracinë parlamentare dhe pluralizmin politik.”
“Ne nuk kemi përgjegjësi për një sistem që u imponua pa konsensus. Ky sistem duhet ndryshuar, përndryshe Shqipëria do të mbetet me një demokraci të deformuar,” u shpreh ai.
Në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Bylykbashi u shpreh se vendimi i Parlamentit parashikon 9 muaj kohë për punën e komisioneve, përfshirë atë të reformës territoriale, por suksesi i tyre varet nga vullneti politik dhe klima parlamentare.
“Nëse klima mbetet si ajo që kemi sot në Kuvend, të dy komisionet do e kenë thuajse të pamundur të funksionojnë”, shtoi ai.
Deputeti demokrat theksoi se PD do të zhvillojë një diskutim të brendshëm për prioritetet e saj, në bashkëpunim me aleatët dhe grupin parlamentar, duke theksuar se shpartallimi i ndërhyrjes së shtetit në zgjedhje mbetet qëllimi kryesor.
“Ky sistem nuk mund të vazhdojë kështu. Unë personalisht preferoj sistemin mazhoritar, sepse sjell përplasje mes dy palëve të qarta. Lista e hapur në formën aktuale krijon garë brenda partisë dhe tension politik. Nëse do të kishte një proporcional kombëtar me lista të hapura si në Kosovë, do ishte shumë më funksional,” deklaroi Bylykbashi.
Ai përmendi se Bashkimi Europian dhe opinioni publik po ushtrojnë presion të lartë për të pasur një reformë zgjedhore funksionale, transparente dhe përfshirëse.
“Ne do të bëjmë maksimumin tonë. Tani mbetet për t’u parë nëse Partia Socialiste do të ketë vullnet të vërtetë politik. Fryma është e rënduar dhe në këtë klimë, edhe përjashtimi i opozitës nga komisionet nuk përjashtohet,” përfundoi Bylykbashi.
Lini një Përgjigje