TAGS-AT E JAVËS

Politike 7 Nëntor 2025, 19:08

Veliaj në detyrë, këshilltari socialist: Nuk do e votoja shkarkimin, por ishte vendim i diktuar politik

Shkruar nga Pamfleti

Veliaj në detyrë, këshilltari socialist: Nuk do e votoja

Erion Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj ankimoi në Kushtetuese vendimin e shkarkimit si kryebashkiak, një proces që u inicua nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS dhe u përmbyll me një vendim në mbledhjen e Qeverisë.

Kushtetuesja vendosi me 5 vota pro ankimit të Veliajt, duke rrëzuar kështu si anti-kushtetuese të gjithë procedurën e ndjekur.

I ftuar në Report Tv, Alfred Muharremi, anëtari socialist i Këshillit Bashkiak, tha se vendimi për shkarkimin e Veliajt ishte politik.

“Vendimet e gjykatës janë të pakontestueshme. Pavarësisht se bie në kundërshtim me vendimin e Këshillit Bashkiak, duhet të them që ka qenë vendim politik, nuk ka pasur lidhje me betejën e Veilajt me drejtësinë.

Veliaj në mënyrë të padrejtë u burgos pa një vendim të formës së prerë, dhe ende po hetohet. Prangosja e një kryetari bashkie, mendoj që ishte një vendim ekstrem që vetë SPAK e GJKKO ka marrë ndaj një të zgjedhuri.

Edhe unë do të veproja si Veliaj, se ai është zgjedhur për të qenë në detyrë”, tha Muharremi.

Ai thotë se votimi për shkarkimin e Veliajt, ishte një vendim i vështirë për të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, por ishte e pashmangshme thotë ai, pas një sërë dështimesh në kryeqytet.

“Për 34 anëtarët e Këshillit Bashkiak ka qenë vendimi më i vështirë në subjektin politik. Ne nuk e braktisëm Veliajn. Vendime politike janë vendime kolegjiale. Ritmin e kryetarit nuk e ndiqte dot kryetarja e komanduar. E shohim vetë që ka dështime në disa sektorë që nuk po preferojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo na shtyu e kur pamë dhe raportet e buxhetit, u detyruam të ngrinim shqetësim sepse kishte ngërç. Duke pasur një ngërç të tillë u vendos, dhe duhej të merrnim zgjidhje politike. Tiranës i duhej një kryetar në zyrë për t’i shërbyer qytetarëve. Nuk do e kërkonim po të mos ishte në burg, apo dhe në hetim”, tha ai.

Ndër të tjera, Muharremi refuzon që vendimi të ketë qenë i imponuar, pasi i është lënë mjaftueshëm kohë administratës së Veliajt për të menaxhuar punën.

“Veliajn presim ta kthejnë në detyrë. Duhet të respektohen qytetarët që e kanë votuar për ta pasur në detyrë. Të ishte për mua vendim personal, nuk do të kisha votuar kurrë.

Imponimi do të ishte i drejtë nëse nuk do të analizohej mirë situata.

Do të ishte imponim nëse pas 3 muajsh do të ishte marrë një vendim i tillë.

Ne i dhamë kohë administratës së Veliajt, dhe pamë që kishte cedim në funksionim”, tha Muharremi.

Lini një Përgjigje