TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2026, 10:23

Tragjedi në Greqi, katër vëllezër e motra humbin jetën nga zjarri në banesën e tyre

Shkruar nga Pamfleti
Tragjedi në Greqi, katër vëllezër e motra humbin jetën
Tragjedi në Greqi

Një ngjarje tragjike ka tronditur Konicën e Greqisë mëngjesin e së dielës, ku katër anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën si pasojë e një zjarri të fuqishëm.

Flakët shpërthyen pak para orës 07:00, ndërsa forcat zjarrfikëse që ndërhynë për shuarjen e zjarrit gjetën të pajetë katër persona, një burrë dhe tre gra.

Sipas mediave greke, viktimat ishin katër vëllezër e motra, të moshës 69, 75, 83 dhe 88 vjeç. Ata jetonin në një kontejner që u ishte vënë në dispozicion rreth 30 vite më parë, pas tërmetit të madh që goditi zonën e Konicës.

Kontejneri ishte vendosur në pronën e tyre, pranë urës së Konicës. Fqinjët kanë deklaruar se të moshuarit jetonin në kushte të vështira, pa energji elektrike dhe me probleme të herëpashershme shëndetësore.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet është mundësia që flakët të jenë shkaktuar nga një qiri ose llambë vaji, të përdorura për ndriçim.

Sipas raportimeve të mediave vendase, shërbimet sociale kishin ndërhyrë më herët për pastrimin e ambienteve ku jetonte familja.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit morën pjesë 10 zjarrfikës me pesë automjete, ndërsa hetuesit e Departamentit të Zjarrfikësve vijojnë punën për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.

Lini një Përgjigje