TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Prill 2026, 17:30

Rama “vlon” nga lëvizjet brenda PS, sulme dhe akuza mediave që nxorën konfliktin me Spiropalin

Shkruar nga Pamfleti
Rama “vlon” nga lëvizjet brenda PS, sulme dhe akuza mediave
Foto nga mbledhja e grupit të PS

Kryeministri pranoi se në mbledhjen e grupit ka pasur diskutime të forta, por kritikoi raportimin mediatik, duke theksuar se nuk është pasqyruar puna mbi legalizimet, kadastrën, pagat apo politikat sociale.

Shpërthimi i debateve brenda PS duket se ka filluar ta shqetësojë Edi Ramën. Gjithë këto vite, kreu socialist ka arritur të shuajë zërat kritikë, disa duke i përjashtuar, disa duke mos i kandiduar dhe disa duke i çuar në burg.

Mirëpo situata duket se i ka dalë nga duart. Erion Braçe ka dalë hapur duke shfaqur ambicien për Bashkinë e Tiranës, teksa ka treguar se punët nuk po bëhen aspak mirë në kryeqytet.

Nga ana tjetër, Elisa Spiropali i ka shpallur luftë kryesocialistit pas shkarkimit nga posti i ministres së Jashtme. Mbledhja e grupit e mbajtur te Pallati i Brigadave tregoi hapur atë që po ndodh në PS dhe kjo nuk i ka pëlqyer Edi Ramës. Ky i fundit u është hakërryer mediave, të cilat zbuluan konfliktin.

Gjatë një takimi me banorët e njësisë 14, ai ka pranuar që ka pasur një debat, por shtoi se në disa orë mbledhje, asnjë media nuk raportoi çështje të tjera që u diskutuan, por vetëm debatet mes tyre.

Tani kemi pasur edhe një diskutim të gjatë në mbledhjen e zgjeruar të qeverisë me grupin parlamentar. Është një praktikë e re çdo fund muaji për të folur me deputetët, ministrat edhe për të marrë shqetësimet, por edhe për t’u fokusuar në tema me rëndësi për të gjithë, edhe legalizimet dhe kadastra ishin në fokus të mbledhjes së kësaj radhe.

Natyrisht që mediat kombëtare kanë gjëra më të rëndësishme për të informuar, çfarë i thashë unë njërit dhe çfarë i thashë unë tjetrës, në një mbledhje nga ora 11 deri në orën 6 pasdite ku ne folëm gjerë e gjatë për pronat, për shërbimet në kadastër, për legalizimet, për reformat administrative territoriale, për skenarët se si duhet të rishikojmë hartën e shërbimeve në territor.

Në çdo rast, hap atë pasqyrën e celularit, shko shih portal më portal, kanal më kanal, po gjete gjë për legalizimet, po gjete gjë për infrastrukturën, po gjete gjë për arsimin, po gjete gjë për shëndetësinë, po gjete gjë për çfarë po bën qeveria për çështjen e naftës, po gjete gjë për çfarë ka ndodhur, çfarë po ndodh, çfarë do ndodhë me pagat, po e gjete kund që ne tani do të paguajmë të gjitha sigurimet shoqërore të nënave dhe të personave kujdestarë të fëmijëve me aftësi të veçanta – atëherë ky do ishte një lajm shumë i madh për mua, ju lutem ndajeni dhe me mua. Më çoni mesazh, më thoni ja ku e ke, e pashë dhe e lexova një gjë që më intereson”, tha Rama.

Në mbledhjen për të cilën flet Rama, pati përplasje të forta mes tij dhe Spiropalit. Madje kryeministri i është drejtuar me fjalët: “Pusho, do të nxjerr jashtë”. Të pranishmit kanë thënë se situata ka qenë shumë e nxehtë dhe fakti që kjo doli në media ka acaruar Ramën. /Pamfleti

 

rama ps grupi

1 Komente

  1. P
    Pronari qe i rrofshin letrat

    Sa vjet ke ne pushtet duke folur per pronat, shtoji edhe vitet ne opozite me premtimet per zgjidhjen e ketij problemi dhe asgje nuk eshte bere pervec se u shtuan zullumet e vjedhjet e lena nga trashegim nga plaku Mere dhe banditet e tij. Ne se kishe dhe ke prone qe te perket me te gjitha letrat dhe aktet ligjore nuk mund t’a merrje ose ta marresh se talibani islamik Artan Lame apo te ngjashmit e tij me porosi nga lart dhe vokacion personal nuk t’a jepnin por i kishin bere letrat si letra bixhozi dhe si prestigjiatore te nxirrnin e te nxjerrin Derrin Maç ne vend te A-sit… Ju dhe zinxhiri i pafund i pushtetit i keni zgjidhur problemet tuaja ose jeni bere pronare ( te paligjshem ) por neve miletit te thjeshte na keni lene “ noc rrokun”…dhe marrazin e rrembimit te prones qe as Enveri nuk e pervetesoi por qe e rrembyen “ Demokratet “ dhe “Socialistet” tane bij te Katovices… Kam 35 vjet qe me AMTP e rregullt ne dore qe i drejtohem hipotekes apo kadastres dhe gjithmone te fshehur pas sportelit dixhital me japin te njejten pergjigjie: “ Jane ne proces”. E njejta pergjigjie edhe nga Qeverisja qe duam.gov.al. E vetmja zgjidhje mbetet qe t’ju a shesesh per nje cope buke “kompetenteve” me para te zeza apo dhe tarafit te pushtetit te cilet i zgjidhin “ me magji” keto probleme. Keshtu qe publiku, perfshire edhe ne qe kemi 35 vjet qe ju kemi dhene voten, e ka humbur besimin te premtimet dhe zhurma boshe se po lodheni per kete milet. Dhe per kete aresye edhe mediat i bejne jehone perplasjeve se ndoshta ato mund te sjellin rrezimin e kalase te se keqes. Kaq e thjeshte dhe poshter eshte…

    Lini një Përgjigje