Shqipëria rrezikon stagnim demokratik mes monopolizimit të pushtetit dhe opozitës së fragmentuar...
Ballkani Perëndimor ndodhet sot në një pikë kritike mes NATO-s, Bashkimit Europian dhe sferave lindore të ndikimit rus dhe kinez. Çdo përkeqësim i stabilitetit apo rënie demokratike në këtë rajon përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë europiane dhe interesat strategjike të SHBA-ve.
Në vende si Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria e të tjera, ndihma amerikane për forcimin e demokracisë duhet të fokusohet në tre shtylla themelore: strategji të orientuara nga qytetari, forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e proceseve politike demokratike.
BE-ja ka investuar ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor, por nuk mund ta mbajë e vetme barrën e zhvillimit demokratik. SHBA duhet ta plotësojë këtë përpjekje evropiane duke angazhuar partitë politike, duke gjallëruar shoqërinë civile dhe duke shpërblyer reformat e vërteta demokratike.
Nevoja për një strategji të re amerikane për demokracinë në Ballkan
Manipulimet elektorale, dobësimi i sundimit të ligjit dhe tendencat autoritare po minojnë sigurinë euroatlantike dhe hapin rrugën për ndikimin rus e kinez. Moska dhe Pekini, përmes dezinformimit, infiltrimit politik dhe varësisë ekonomike, po e trajtojnë Ballkanin si një terren strategjik.
Këto zhvillime e bëjnë ndihmën amerikane për demokracinë në rajon jetike. Ballkani, i vendosur mes BE-së, NATO-s dhe ndikimeve lindore, ka rëndësi të madhe gjeopolitike: ai është një qendër transporti për tregtinë detare, energjinë dhe flukset migratore, duke u bërë kështu një pikë e nxehtë për stabilitetin evropian.
Rajoni përballet sot me presione të forta nga ndikimet ekonomike dhe politike të Kinës, Rusisë, Iranit dhe aktorëve të tjerë autoritarë. Nëse këto ndikime mbeten të pakontrolluara, Ballkani mund të shndërrohet në një platformë për fuqitë autoritare që synojnë të rrënjosin ndikimin e tyre në Evropë.
Shembujt janë të qartë:
Serbia po thellon varësinë nga Moska dhe Pekini në energji, bashkëpunim ushtarak dhe teknologji mbikëqyrjeje, duke kërcënuar interesat transatlantike.
Rusia mban ndikim të fortë në Republika Srpska, duke penguar integrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në NATO e BE dhe duke nxitur paqëndrueshmëri kushtetuese.
Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndonëse anëtare të NATO-s, mbeten të brishta përballë kërcënimeve hibride nga Rusia dhe Kina, për shkak të institucioneve të dobëta dhe fragmentimit politik.
Përballë këtyre sfidave, SHBA duhet të zhvillojë një qasjen e re rajonale për ndihmën demokratike, që pasqyron realitetet e ndryshme të vendeve të Ballkanit. Kjo nënkupton forcimin e qeverisjes së përgjegjshme, mbështetjen e forcave politike legjitime dhe trajtimin e konflikteve të ngrira ndërmjet shteteve.
Shqipëria- demokraci e brishtë mes stabilitetit dhe monopolizimit politik
Shqipëria mbetet një prej sistemeve demokratike më të brishta të rajonit. Qeveria e Edi Ramës dhe Partia Socialiste (PS) ruajnë një shumicë të fortë, pasi fituan mandatin e katërt radhazi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 me 52.2% të votave. Zgjedhjet janë në përgjithësi të organizuara në mënyrë profesionale, por zhvillohen në një mjedis thellësisht të polarizuar, të shoqëruar me akuza për blerje votash dhe përdorim të fondeve publike në zonat e varfra për të ndikuar rezultatin.
Këto praktika kanë dobësuar pluralizmin politik dhe kanë centralizuar pushtetin lokal, ndërsa bashkitë përballen me mungesë fondesh dhe varësi të plotë nga qeveria qendrore.
Opozita shqiptare, e ndarë në disa fraksione të Partisë Demokratike, nuk ka arritur të ofrojë një alternativë të qëndrueshme, duke lënë në hije kontrollin parlamentar. Kjo krizë kulmoi me përplasjet e dhunshme në fund të vitit 2023, pas të cilave qeveria miratoi ligje kufizuese ndaj aktivitetit opozitar.
Shoqëria civile mbetet aktive dhe kontribuon në debatin publik, por ka ndikim të kufizuar për shkak të mungesës së fondeve, përjashtimit nga proceset vendimmarrëse dhe rasteve të bashkëpunimit me interesa partiake.
Media shqiptare është relativisht e pavarur dhe shpesh mban në përgjegjësi zyrtarët publikë, por peizazhi mediatik dominohet nga pak pronarë të lidhur politikisht, që përdorin platformat e tyre për të ndikuar opinionin publik dhe proceset politike. Kjo mungesë e mekanizmave të llogaridhënies ka rritur dezinformimin dhe mosbesimin e qytetarëve, një dobësi që mund të shfrytëzohet nga aktorë të huaj, përfshirë Rusia.
Megjithë këto sfida, Shqipëria mbetet një histori pozitive në ndërtim, me një shoqëri civile të gjallë dhe media kritike. Vendi ka nevojë për mbështetje të gjerë ndërkombëtare që synon:
-forcimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje,
-mbrojtjen e gazetarëve të pavarur,
-dhe krijimin e mekanizmave të barabartë të financimit për qeverisjen vendore.
Vetëm përmes këtyre hapave, Shqipëria mund të kalojë nga një demokraci formale drejt një sistemi funksional, me institucione të forta dhe qytetarë të përfshirë aktivisht. /Përshtati “Pamfleti” me shkurtime nga “Atlantic Council”
*Stephen Nix është drejtor i lartë për Evropën dhe Euroazinë në Institutin Ndërkombëtar Republikan.
*Megan Tamisiea është një studiuese me një diplomë master në Demokraci dhe Qeverisje nga Universiteti Georgetown.
Lini një Përgjigje