
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim elektoral në Dibër, në prag të zgjedhjeve të 11 Majit. Ai ftoi qytetarët të votojnë PD-në të dielën në një moment historik për Shqipërinë.
Berisha theksoi se në 12 vjet, Rama vetëm vodhi shqiptarët me një grusht hajdutësh, ndërsa sipas tij përdori armët më të egra për të dëbuar shqiptarët.
Berisha akuzoi kryeministrin se në Dibër la shkollat pa fëmijë dhe shtëpitë bosh, ndërsa bën thirrje të ndajmë Shqipërinë nga diktatura dhe mjerimi.
“12 vite miqtë e mi, lëvizjen e lirë, këtë të drejtë madhore të çdo qytetari, Edi Rama e përdori për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria.
Edi Rama me regjimin e tij përdori kundër shqiptarëve armët më të egra të regjimeve më çnjerëzore. Përdori varfërinë, mjerimin, papunësinë, skamjen për të boshatisur Dibrën, Matin dhe Shqipërinë.
Edi Rama qeveris për 12 vite. Kur erdhi në pushtet, Dibra dhe dibranët, Shqipëria dhe shqiptarët shtoheshin. Rrogat e tyre, pensionet e tyre rriteshin çdo vit. Bizneset e tyre, fermat e tyre zgjeroheshin vit pas viti.
Shqiptarët së bashku me dashurinë për Shqipërinë, dhe dibranëve për Dibrën, u ecte shpresa për një ditë gjithnjë e më të mirë.
Kurse Edi Rama u vrau shpresën shqiptarëve. Solli në krye të vendit një grusht hajdutësh që kohërat nuk i kanë njohur kurrë në histori.
Miq, çdo vit dhe më shumë, i zhyti shqiptarët në varfëri gjithnjë e më të madhe.
Pensionet e tyre u ngrinë, rrogat e tyre u ngrinë, çmimet u rritën me 200 përqind.
Sofrat u përgjysmuan. Të rinjtë dhe kush mundi mori rrugët e dheut për të mbijetuar.
Ëndrrën dibrane, ëndrrën shqiptare e morën me vete për ta ngritur në vende të tjera.
Fermerët e Dibrës falimentojnë njëri pas tjetrit sepse iu hoqi subvencionet, hapi doganat. Prodhimet e subvencionuara të fermerëve të Ballkanit, dhe veçanërisht të Serbisë, vërshojnë sot në tregje dhe sot 80 përqind e frutave, zarzavateve vijnë nga jashtë. Ndërkohë, tokat mbeten djerrë dhe prodhimet kalben në Shqipëri..
Krijoi një racë qeveritarësh që nuk duan t’i dinë as për ilaçe, as për pensionistët dhe as për të rinjtë.
Po ata prindër që u ka vajtur dinjiteti në fund të këmbëve duke iu lutur fëmijëve të tyre të votojnë për një vend pune, për një rrogë arsimtari, për një leje legalizimi apo një pension invaliditeti? Po ata që nuk guxojnë të ngrenë kokën kur përfaqësuesi kokëgdhë i rilindjes e kërcënon me bukën e përditshme? A munden këta një ditë të vendosin që, të paktën në heshtje, ta groposin frikën dhe të marrin hak?
Qytetarë që ndëshkojnë me votë qeveritë e tyre kur nuk përmbushin premtimet e aq më tepër kur abuzojnë e vjedhin, janë normalitet në çdo shoqëri demokratike. A mund të ndodhë kjo këtë herë edhe në Shqipëri, ashtu heshtur dhe pa zhurmë siç po mbyllet dhe vetë fushata elektorale? Kjo është pyetja që ia prish gjumin Edi Ramës dhe nuk ka sondazh që t’i shërbejë si somnifer. Pikën kur pakënaqësia popullore mund të bashkohet me nevojën për ndëshkim, në një shoqëri të nënshtruar, është vështirë të parashikosh. Prandaj komforti i sondazheve nuk e mposht dot akthin e hakmarrjes së heshtur. Rama bërtet për të marrë zemër nga zëri i vet”, tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Lini një Përgjigje