TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Nëntor 2025, 21:27

Pse nuk pati transparencë për hetimet ndaj Ballukut? Altin Dumani flet për herë të parë mbi akuzat ndaj zv/kryeministres

Shkruar nga Pamfleti

Pse nuk pati transparencë për hetimet ndaj Ballukut? Altin Dumani flet

Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur për herë të parë lidhur me marrjen të pandehur të zv/kryeministres Belinda Balluku. Ai ishte i ftuar në “Trialog” nga Alba Alishani, ku  u pyet ndër të tjera se përse nuk pati transparencë të plotë mbi këtë dosje, por rrodhën disa informacione në media. Dumani theksoi se institucioni operon me një kujdes të shtuar për të mbrojtur integritetin e procesit hetimor. Sipas tij, një parim tjetër themelor është respektimi i të drejtave procedurale të personit nën hetim. Njoftimi zyrtar, siç shpjegoi ai, u bë në ditën kur subjektit në fjalë iu komunikua akuza zyrtarisht në Prokurorinë e Posaçme, duke respektuar kështu hapat ligjorë që kërkojnë që i pandehuri të njihet i pari me faktet penale që i atribuohen. Gazetarja vuri në dukje një kontrast në kritikat që i bëhen SPAK-ut: nga njëra anë, akuza për mungesë transparence, si në rastin Balluku, dhe nga ana tjetër, shqetësime për rrjedhje informacioni në dosje të tjera.

-Akuzat për pabarazi në tendera ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Një dosje e cila ka pasur polemika dhe një hetim i cili është shoqëruar vazhdimisht me diskutim në opinionin publik dhe është e kuptueshme për shkak të postit që përfaqëson dhe delikatesës së diskutimit. Pavarësisht zhurmës, SPAK preferoi që u diskutua për shumë ditë me radhë dhe gjithsesi pas paraqitjes së saj dhe një deklarate të zonjës Balluku për mediat, ju bëtë transparencë me një njoftim formal si SPAK për mediat. Pse u vonuat kaq gjatë për të bërë transparencë?

Sa i takon informimit të publikut, lidhur me çështje që janë në hetim, ne jemi shumë të kujdesshëm, pasi qëllimi ynë kryesor është të ruajmë integritetin e hetimit. Të mos e dëmtojmë hetimin. Dhe nga ana tjetër, ne duhet të marrim në konsideratë, të respektojmë dhe të drejtat e subjektit, e të akuzuarit në proces.

Dhe siç edhe ju e përmendët pak, njoftimi u bë ditën që u paraqit në Prokurorinë e Posaçme subjekti në fjalë dhe ju komunikua akuza.

Njoftimet e mëparshme nuk mund të bëheshin edhe nga pikëpamja procedurale, pasi duhet fillimisht të marrë dijeni e pandehura për faktet penale që i atribohen dhe pastaj Prokuroria e Posaçme reagoi me atë, nisur dhe nga interesi i madh i publikut, reagoi me atë njoftim zyrtar të publikuar në faqen tonë dhe që besoj që ishte një njoftim edhe korrekt nga pikëpamja proceduriale, por dhe ishte një informacioni i mjaftueshëm edhe për publikun.

- Në fakt ju keni pasur kontrast në ato shigjetime të cilat ju kanë ardhur si kritika. Në njërën anë për mungesë transparence në raste dhe episode të caktuara si në rastin e zonjës Balluku, por jo vetëm, sepse ai nuk është rast i izoluar, ose për rrjedhje të informacionit. Duket sikur janë klasifikuar në mënyrë të pandërgjegjshme ndoshta, në dy kategori, në dosje top sekret dhe disa dosje të tjera ku befasishit rrjedh informacionin, ndoshta edhe për hir të personazhit apo interesave. Të paktën këto kanë qenë kritikat në adresën tuaj. E keni perceptuar si të tillë? A besoni që ka ndodhur kjo me informacionin e SPAK, transparencë ose plotësisht mungesë transparence?

Tani, është e vështirë të gjesh ekuilibrin mes transparencës apo informimit të opinionit publik dhe ruajtjes së sekretit të hetimit.

Dhe ne, si institucion jemi përpjekur që ta gjejmë këtë ekuilibër. Dhe po të shikosh dhe njoftimet që SPAK bën, janë njoftime që bëhen o në fazën kur ekzekutohen masat e sigurimit, në fazën kur ngrihet akuzë, apo në fazën që ne dërgojmë çështjet për gjykim.

Pa përjashtuar raste kur bëjmë njoftime për sekuestrime apo për konfiskime. Sepse në këto momente shihet e nevojshme nga njëri krah dhe nga ana tjetër që nuk na e dëmton hetimin e procedimit penal.

Lini një Përgjigje