Ndër pasuritë e fshehura të Ilir Beqjes është 1 hotel 6 kate buzë detit në Sarandë i ndërtuar pasi Ilir Beqja la detyrën e ministrit; por dhe pasuritë e tjera që BKH ka zbuluar deri tani, si 80% aksione te firma “INTECH+Sh.p.k” që ka marrë 30 milionë Euro tenderë; 8 apartamente në Tiranë, 5 apartamente e 2 lokale në Lungomaren e Vlorës, 1 vilë në Lalz dhe 1 vilë në Dhërmi të regjistruara në emrin e vajzës…
Tashmë, Ilir Beqja është arrestuar për vjedhjen e 110 mijë Euro fonde të BE, si dhe është në gjykim për Sterilizimin e në proces hetimi për 3 koncesionet e tjera në shëndetësi, me vlerë 480 milionë Euro, dhënë Vilma Nushit, Janis Karathanos, Klodian Allajbeut e suvaxhiut Ilir Rrapaj.
Por ka dy standarde, në veprimet e SPAK, që ka sekuestruar pasuritë e disa ish-zyrtarëve të arrestuar për korrupsion e shpërdorim detyre, ndërsa Ilir Beqjes nuk po i sekuestrohen pasuritë, megjithëse prej 10 muajsh është i pandehur e tashmë i arrestuar me të njëjtat akuza.
Ilir Beqja u arrestua me akuzat: “Shkelje e barazisë në tenderë, korrupsioni i personave që ushtrojnë funksione publike dhe pastrimi i parave e veprimtari kriminale të kryer në bashkëpunim”, parashikuara nga nenet 257/a/2, 258/2, 244, 259/2 e 287/2 të Kodit Penal.
Këto nene të Kodit Penal, përcaktojnë sekuestrim të pasurive që dyshohen e ka prova, se janë siguruar nëpërmjet korrupsionit e vjedhjes së aseteve shtetërore, gjatë ushtrimit të detyrës si ministër e prej aktiviteteve të tjera të paligjshme.
Por Ilir Beqjes, që iu sekuestrua telefoni, kompjuteri, USB-ja, 47 mijë Euro e një arkë me dokumente zyrtare; nuk po i sekuestrohet restoranti “Gzona” në qendër të Tiranës, me vlerë investimi fillestar 1.1 milionë Euro e i hapur si aktivitet më 23 janar 2019.
Vetëm fakti, që investimi fillestar i këtij restoranti është 1.1 milionë Euro, nisur si investim 8 muaj pasi Ilir Beqja u largua si ministër; është provë për t’ia sekuestruar deri në vërtetim të burimit financiar, madje i fshehur me akt-dhurime e shitje fiktive sa paga e kamarierit.
Ilir Beqjes nuk po i sekuestrohet as fermë- resorti “Albania Ionian Coast Olive Oil” me 11 ha agrume, ullinj, vreshta, pemëtore, bujtinë, fabrikë vaji, pijesh e lëngjesh në Finiq të Sarandës.
Kjo ferme-resort nisi si investim, 3 muaj pasi Ilir Beqja la detyrën e ministrit dhe nisi aktivitet në janar 2019; por SPAK nuk po e sekuestron megjithëse ka provën që 55% e ka në pronësi Adriana Beqja, ndërsa 45% e ka regjistruar te punonjësi i Ilir Bejes në firmën “INTECH+Sh.p.k”.
SPAK nuk po sekuestron as fermë-resortin tjetër “Agro-Isaku-Finiq”, ku 70% është në pronësi të Ilir Beqjes, regjistruar përsëri në emrin e gruas dhe të punonjësit të tij Kristi Sinani; ndërsa 30% pronësi në emër të 6 familjarëve të tyre.
Madje ortak me 5% është dhe Llambro Zhupaj, pronari i firmës së ndërtimit “Gjozeza Sh.pk”; i cili po ndërton hotelin me 6 kate të Ilir Beqjes, buzë detit te zona turistike pranë Portit të Peshkimit në Sarandë, në tokë ushtrie të dhuruar nga ish-ministrja Olta Xhaçka.
SPAK duhet t’i sekuestrojë dhe këtë hotel të ndërtuar pasi Ilir Beqja la detyrën e ministrit; por dhe pasuri të tjera që BKH ka zbuluar deri tani, si 80% aksione te firma “INTECH+” që ka marrë 30 milionë Euro tenderë; 8 apartamente në Tiranë, 5 apartamente e 2 lokale në Lungomaren e Vlorës, 1 vilë në Lalz e 1 vilë në Dhërmi, të regjistruara në emrin e vajzës së tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje