
Tani PD do të jetë në test, pasi ka zëra se kemi një pazar të pisët. Pavarësisht se nuk dha votën në Kuvend, PD mund të dërgojë emrat e saj në komision...
Partia Socialiste i ka shkuar deri në fund planit për të kapur drejtësinë dhe organet e reja kushtetuese. Pavarësisht kundërshtive të opozitës, me 74 vota pro u ngrit komision i famshëm antikorrupsion, ose i njohur si komisioni “Xhafaj”. Opozita ka dhënë vetëm 6 vota kundër.
Edhe pse kryeministri Rama kur prezantoi draftin tha se duhet një aleancë mes Parlamentit, qeverisë dhe drejtësisë për të luftuar korrupsionin. Ndërkohë sot komisioni u ngrit në mënyrë të njëanshme. Tani PD do të jetë në test, pasi ka zëra se kemi një pazar të pisët. Pavarësisht se nuk dha votën në Kuvend, PD mund të dërgojë emrat e saj në komision. Po ashtu nuk ka më dilema s eky komision do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj, ai i cili dikur drejtoi komisionin e reformës në drejtësi, tani po përdoret nga Rama për ta zhbërë.

Nëse shohim vendimin, duket qartë se do të kemi një komision, i cili synon që brenda 10 muajsh të vërë nën kontroll drejtësinë dhe organet e tjera kushtetuese. PS propozon që komisioni të ketë 11 anëtarë, ku 6 i ka PS dhe 5 opozita. Po ashtu dhe kryetarin e ka po PS dhe me gjasë do të jetë Fatmir Xhafaj.
Sipas draftit, komisioni synon: 1) përmirësimin dhe konsolidimin e praktikave të mirëqeverisjes në të gjitha nivelet, 2) thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe 3) forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit, duke patur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike”.
“Me qëllim ruajtjen konform rregullores të raportit shumicë - pakicë, shfrytëzimin efektiv të përvojës së krijuar qysh në fillesat e Reformës në Drejtësi, si dhe sigurimin e vazhdimësisë së punës e të produkteve të këtij procesi përtej legjislaturës aktuale dhe përgjatë harkut të negociatave me Bashkimin Evropian, komisioni si rregull do të përbëhet nga Kryetarë dhe Zëvendëskryetarë të Komisioneve të Përhershme: për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (2); për Ekonominë dhe Financat (2); për Çështjet Evropiane (2); për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (2); dhe Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian (2)”, thuhet në draft.
Pranë Komisionit të Posaçëm, për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës e transparent, do të ngrihet dhe funksionojë grupi i punës i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë me përfaqësues të propozuar nga institucionet e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe agjensitë ekzekutive ligjzbatuese, administrata publike, bota akademike, universitetet publike dhe jopublike, institute e organizata të shoqërisë civile dhe medias, si edhe organizata të sipërmarrjes, etj. Grupi i ekspertëve do të organizohet në 3 nëngrupe që do të angazhohen për 3 fushat e objektit të veprimtarisë së këtij komisioni.
Ekspertët do të angazhohen në funksion të temave përkatëse, që lidhen me fushat e tyre të veprimtarisë në procesin e kryerjes së analizës dhe hartimin e Planit Kombëtar të Veprimit si dhe propozimin e masave përkatëse legjislative e institucionale. Numri dhe përbërja e grupit të ekspertëve miratohet me vendim të komisionit. Komisioni mund të ftojë për konsultime për çështje specifike edhe agjenci dhe ekspertë të tjerë vendas e ndërkombëtarë të mirënjohur në fushat përkatëse. /Pamfleti
Lini një Përgjigje