Politika tenton të rrisë kontrollin mbi drejtësinë dhe institucionet e pavarura...
Shumë shpejt në Kuvend pritet të finalizohet pazari i radhës. Teksa pak më parë patëm një pazar Rama-Berisha për të kaluar ligjet e reformës dhe për të shpikur komisione që do të monitorojnë median, duket se po finalizohet pakti për të kontrolluar drejtësinë.
Pak kohë më parë u paralajmëruar nga Eduard Shalsi se do të ngrihet një komision i cili do të kontrollojë institucionet që raportojnë në Kuvend, përfshirë drejtësinë. Sot ishte Fatmir Xhafaj që dha sinjalet se finalizimi i këtij plani është afër.
Teksa foli në Komisionin e Ligjeve, ai tha se vonesat në sistemin gjyqësor nuk janë vetëm shkak i vakancave të krijuara nga vettingu, por edhe rezultat i papërgjegjshmërisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Ai mori si shembull rastin e vulës së PD.
“Ne flasim për një numër të madh çështjesh, për “back log” të jashtëzakonshëm. Është e vërtetë se një pjesë është krijuar nga vakancat për shkak të vettingut, por është po aq e vërtetë se po të kishte një analizë, do të dilte se një pjesë e kësaj situate, krijohet për shkak të zvarritjes së tyre në hetim e gjykim. Ashtu siç ndodh në rastin e PD-së. Prej muajsh të tërë, vite të tera zgjaten çështje që janë sensitive, që janë të paarsyeshme. Nuk ka të bëj me vakancat, ka të bëj me përgjegjshmërinë”, tha ai.
Por më tej ai të reformohet mënyra e monitorimit të institucioneve të pavarura, e më konkretisht atyre të drejtësisë që të jenë më eficente në punën e tyre. Me pak fjalë, do shkohet drejt skenarit të paralajmëruar nga Shalsi.
“E kam thënë edhe në vitet e mëparshme, strukturat përkatëse këtu në Kuvend duhet të reformojë të gjithë punën e saj. Nuk ka pse struktura e monitorimit të mbështete te raportet”, tha ai. Të njëjtën gjë tha dhe kryetarja e komisionit Klotilda Bushka, e cila propozoi që të ndryshojë mënyra e raportimit.
Në një linjë me të ishte dhe Alibeaj, por ai kërkoi që nuk duhet lejuar që institucionet e drejtësisë të jenë përballë presionit.
“Kjo pjesë e raportimeve sidomos e institucioneve të drejtësisë do të duhet parë me seriozitetin maksimal. Së pari të krijohet komoditeti maksimal ndaj institucioneve të drejtësisë teksa vijën të raportojnë të mos gjenden në një agresion të befasishëm”, tha ai.
Lini një Përgjigje