
PD-PS vijojnë avazin e vjetër, dalin me dy raporte për ndërhyrjet në TIMS...
Partia Demokratike dhe Paria Socialiste kanë vijuar avazin e vjetër, duke mos gjetur edhe një herë konsensus te komisionet hetimore. Sot ka mbyllur punimet komisioni për ndërhyrjet në sistemin TIMS dhe PD e PS kanë dalë me dy raporte.
Ndonëse komisioni u krijua nga PD, socialistët kanë dalë me një raport të tyrin, duke devijuar tërësisht nga gjetjet. Kjo është një historie vjetër, pasi në çdo komision hetimor ka pasur dy raporte.
Fillimisht ishte Salianji që lexoi gjetjet, duke thënë se të dhënat e TIMS u kanë shërbyer grupeve kriminale.
Sipas Salianjit, Ervin Muça, në pozicionin e Drejtorit të Departamentit të IT-së, nuk përmbushte kriteret për këtë detyrë.
“Konkretisht, ky shtetas ishte proceduar penalisht për falsifikim dokumentesh në shtetin italian në vitin 2007, ishte refuzuar leja e qëndrimit në vitin 2008, nuk kishte plotësuar formularin e dekriminalizimit, nuk kishte kryer trajnimet e detyrueshme në Akademinë e Sigurisë, nuk ishte pajisur me Certifikatën e Sigurimit të Personelit dhe ishte njëkohësisht i punësuar si këshilltar i drejtoreshës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, megjithëse hetimet e kryera nga Prokuroria nuk kanë gjetur ndonjë produkt konkret pune”, thuhet aty.
Më tej në raport, thuhet se procedurat e rekrutimit të ish-drejtorit Besjon Tanuzi dhe drejtorit aktual Enri Ndoni kanë qenë fiktive dhe me rezultat të paracaktuar. “Kjo duket nga fakti që ata kanë aplikuar dokumentet për t’u emëruar në këto pozicione para krijimit të vakancës, nuk ka pasur asnjë shpallje për vendin vakant në këto pozicione dhe kanë qenë kandidaturat e vetme që i janë paraqitur për miratim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, tha kreu i Komisionit, që shtoi se edhe procedura e ndjekur për emërimin e Drejtores së Hetimit të Krimit Kibernetik Ervina Gjana ka qenë fiktive dhe me rezultat të paracaktuar”, evidentohet në raport.
Sipas raportit të PD, Muça dhe Tanuzaj, “kanë kryer një sërë shkeljesh ligjore, duke vënë në rrezik sigurinë e sistemit të dhënave TIMS”.
“Konkretisht, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar hyrjen e paautorizuar në ambientet e rëndësisë së veçantë të Policisë së Shtetit, nuk kanë marrë leje apo autorizim paraprak nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për kryerjen e procesit të back-up-it, kanë bërë transferimin pjesërisht të të dhënave të sistemit TIMS në pajisje të jashtme, kanë hyrë në godinë duke përdorur kodin e një punonjëse që ishte me leje vjetore, kanë operuar në orët e vona të natës dhe jashtë orarit zyrtar, kanë urdhëruar vartësit për kryerjen e detyrave në kundërshtim me ligjin, si dhe nuk kanë hartuar aktet sipas Urdhrit Nr. 3410, datë 28.04.2023 të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Megjithë shkeljet flagrante të ligjit, këta punonjës janë pezulluar vetëm për një periudhë 5-ditore dhe më pas janë lejuar që të vijojnë punën normalisht, pa filluar procedura e shkarkimit nga detyra, në kushtet kur qoftë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ashtu edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kishin konstatuar kryerjen e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, dhe duke vënë në rrezik sigurinë e një infrastrukture kritike për Policinë e Shtetit”, vijon raporti i PD.
Por nga ana e saj PS doli me një raport më vete. Deputeti Toni Gogu ishte ai që e prezantoi, ku tha se vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës. Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.
Konkretisht në raport thuhet se nevojitet harmonizimi i ligjit Nr. 8792 datë 10.05.2001 “ Për krijimin e Qendrës së Përpunimit të të Dhënave”; ligjit Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar” dhe ligjit Nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar .
“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhet mes të tjerash në konkluzionet e raportit të PS.
Në vijim të konkluzioneve, raporti i PS thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”.
Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare. Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht: a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”; b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS; b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS; c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.
Salianji dhe demokratët e tjerë propozuan që të dyja raportet të unifikohen, pro kjo u rrëzua. Ai hodhi në votim raportin e PD, por dhe ai u rrëzua, teksa u miratua raporti i PS. Të dyja raportet do i shkojnë seancë plenare, teksa pritet që atje të miratohet raporti i socialistëve. Salianji tha se raporti i PD do shkojë në prokurori.
Lini një Përgjigje