Vendi ka nevojë jetike për një të majtë që të thërrasë shtetin me fytyrë njeriu, madje të garantuar me pika dhe ide të qarta...
Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori është portretizuar nga një gazetar me përvojë, si një ‘Che Guevara’ në tentativë.
Natyrisht kjo është një metaforë për t’i dhënë një dimension revolucionar liderit të një force të re politike që paraqitet më 11 maj para zgjedhësve.
Por a është vërtetë Arlind Qori një ‘Che’ shqiptar?
Edhe nëse nuk është çfarë përfaqëson?
Në vija të trasha mund të thuhet se Arlind Qori është një personazh politik i majtë, dhe këtë e ka treguar qartë në simpatinë dhe aleancën me një figurë të rëndësishme të së majtës europiane si është profesor Yanis Varoufakis. Me të cilin, Alrindi është takuar dhe madje ka publikuar edhe video.
Profesor Varoufakis nuk është thjesht një ikonë e së majtës botërore, por një intelektual i spikatur i saj.
Ai nuk pyet nëse një e majtë humb konsens pragmatik, por ka shpallur edhe në letër idetë e analizat e tij.
Ndryshe nga Profesor Varoufakis, i cili u largua nga qeveria greke në kohën kur ishte një yll në rritje i së majtës europiane, në një kohë që është një ideolog i asaj që quhet rruga e re e së majtës, Arlind Qori është një profesor i shkencave politike në një universitet në Shqipëri.
Profesor Qori, vjen si i majtë në një vend ku për 34 vjet e majta edhe kur ka qeverisur ka qenë e djathtë. Vjen nga një vend ku duhet të paguash edhe për analizën e gjakut apo të urinës, ku edhe pse nuk ka shumë të pastrehë, ka kreditorë pa fund që nga stresi i fajdeve apo kredive kanë shkatërruar familjen e shoqërinë.
Vendi ka nevojë jetike për një të majtë që të thërrasë shtetin me fytyrë njeriu, madje të garantuar me pika dhe ide të qarta.
A i ka sjellë këto profesor Arlindi në logjikën e programin e tij?
Ndoshta po kërkojmë shumë, pasi lëvizja e tij është ende e re, që ka kaluar dhe prova jo të vogla në lëvizjet sindikale në industrinë e naftës apo të minierave.
Por që të bëhesh lider duhet të kesh një fitore, një ngadhnjim, që vjen nga një sakrificë që nuk duhet ta bëjnë punëtorët por liderët.
Marco Panela, lideri legjendar i radikalëve italianë nuk erdhi kurrë në pushtet, por udhëhoqi dy beteja mitike; atë të abortit dhe të divorcit, të cilat i fitoi.
Në Itali, Panela prodhoi lëvizje politike tranversale që më pas u kthyen në parti pushteti si Magherita e Rutelit dhe Gentilonit apo edhe libertarianët e garantistët e Berluskonit.
Po si mund të jesh një Varoufakis shqiptar?
Që Arlindi të thërrasë mendimin më të mirë ekonomik dhe politik shqiptar, për të mbrojtur vendin, pra Shqipërinë përballë asaj që bankat apo pushtetet e forta bëjnë nëpërmjet mekanizmave abuzive si kreditë dhe borxhet.
Sa ka folur Arlindi për këtë çështje në publik?
Sa e ka kauzë çështjen e punëtorëve, që në Shqipëri janë të diskriminuar. Ja të marrim rastin ‘Birra Tirana’. Që është një skandal i përmasave të mëdha kombëtare, i përcjellë nga ‘Pamfleti’, i cili më pas prodhoi bllokimin dhe hetimin ndaj pronarëve Luan Gregasi e Irfan Hysenbelliu.
Kur punëtorët e Birra Tirana luftonin me kapitalistët e rinj, e kur një nga punëtorët, Fatmir Pema vdiq në një betejë epike, Arlind Qori nuk ishte. Ndoshta nuk kishte “lindur” si parti, por që sot kjo histori është bërë epike falë ‘Pamfleti’-t, pasi asnjë media nuk e tregon, pse Qori nuk e bëri kauzë?
Ndoshta nuk e ka lexuar, nuk e di fare, por ky nuk është problem i njerëzve, por i Arlindit dhe shokëve të tij që nuk lexojnë e nuk njohin problemet e proletariatit.
Pa njohur tragjeditë e ‘Birra Tirana’, aseti kombëtar që po kthehet në shesh ndërtimi nga kapitalistët më të paskrupullt në vend, nuk mund të jesh as Che Guevara e as Varoufakis. Mund të jesh thjeshte një Arlind i zakonshëm i një fushate…/Pamfleti
Lini një Përgjigje