TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Shkurt 2025, 19:26

Primaret, Elezi: Sherrnajë brenda PD, listat i bën Muli dhe Albana

Shkruar nga Pamfleti

Primaret, Elezi: Sherrnajë brenda PD, listat i bën Muli dhe Albana

Në 1 mars, Partia Demokratike zhvillon primaret, një procedurë që aplikohet për përzgjedhjen e një liste me emrat e kandidatëve për deputet, që më pas do të kalojnë në filtrin e Kryesisë për të përfaqësuar këtë parti në zgjedhjet e 11 majit.

Procesi ka krijuar debate dhe pakënaqësi në rradhët e demokratëve dhe ndoshta mund të rikthejë përplasjen në këtë parti, edhe pse Sali Berisha është kujdesur që të paktën të ruajë ‘bashkimin në diversitet’ me ata që dikur ishin në krah të Lulzim Bashës dhe iu bashkuan grupimit të Rithemelimit.

I ftuar në “Studio Live” në Report Tv, ish-kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, tha se kjo është një “sherrnajë brenda strukturave”, duke shtuar se aty pranohet hapur edhe vjedhja e votës dhe nuk ka debat.

Ai e sheh procesin një dështim dhe se në fund do vendosen ata që do Sali Berisha, kurse Bardhi si manipulator i këtyre proceseve, bashkë me të tjerët, do i servilosen për të qenë në listë.

“Zoti Gazment Bardhi e kupton se nuk mund të ketë sukses me primaret në PD. Sado t’i thotë Berisha elektoratit të tij votoheni, ata do kujtojnë deklaratat dhe akuzat e Bardhit si manipulator apo ndaj Berishës. Bardhi është figurë e diskredituar në opinionin publik dhe te demokratët, që një manipulator të marrë shumicën, kjo kthehet në absurditet.

Helidon Bushati e ka kuptuar se këto Primare nuk janë ato që duhet të jenë. Primaret janë garë e ndershme dhe debat thelbësor demokratik dhe duke mos u zbatuar këto kritere kthehen në sherrnajë, ku ai që nuk fiton apo nuk është dakord, i shtrëngon dorën tjetrit. Të ketë proces gare, me debat, pikpamjesh, qëndrimesh politike, me lista të sakta. Jo lista siç i jep Muli dhe Albana dhe sa duan ata, plotësojnë 300 apo 400 formularë dhe deformojnë rezultatin dhe këto nuk janë primare të ndershme, sepse efekti i tyre del në të kundërtën.

Ndaj edhe Bardhi e thotë se të fut në sherrnajë. Sepse PD nuk funksionon në mënyrë institucionale, ku nuk numërohen votat. Unë nuk e di se një pjesë e mirë e eksponentëve në PD e kanë kërkuar dikur me Lulin dhe tani janë dakord me atë që Berisha bën. Këta urrejnë votën, debatin dhe të ballafaqohen me të vërtetën. Këta s’mund të sjellin progres as në PD dhe as në shoqërinë shqiptare”, tha Elezi.

Më tej ai kujton se në PD e pranojnë hapur edhe vjedhjen, sepse atje nuk njihet procesi i votës. Madje ai me ironi bëri edhe një krahasim, duke u shprehur se “është njëlloj sikur t’i thuash hajdutit na merr çelësat dhe më ruaj magazinën!”.

“Këta kanë futur duart në vjedhje. Albana Vokshi e ka deklaruar, edhe Paloka e tha se u vodhën votat. E imagjinon kur tjetri thotë i vodhëm, kjo është për të vënë duart në kokë. Këta e pranojnë edhe vetë. Vodha, vodha, vodha, e ku çon kjo tani? Berishës i servilosen për një mandat deputeti. Nuk e bëjnë dot atë proces. Kjo është t’i thuash hajdutit ‘na çelësat për të ruajtur magazinën'. Bushati është i ri vetë, nuk besoj se ikën për këtë. Të dy subjektet politike po japin imazhin e keq në public, e për fat të keq nuk ka një pol të tretë, siç bëri Albin Kurti dikur”, tha Elezi.

Lini një Përgjigje