TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Maj 2023, 12:55

Presioni i Greqisë për Belerin, Shpëtim Idrizi: Drejtësia të mos intimidohet nga shantazhet!

Shkruar nga Pamfleti
Presioni i Greqisë për Belerin, Shpëtim Idrizi: Drejtësia
Shpëtim Idrizi

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të mos intimidohen nga asnjë lloj shantazhi e ndërhyrje në punën e saj duke iu referuar çështjes “Beleri”.

Nisur nga presionet e shumta të Greqisë ndaj vendit tonë, Idrizi theksoi se drejtësia duhet të marrë parasysh ligjin dhe provat që e akuzojnë Fredi Belerin.

Në një postim në rrjetet sociale, Idrizi shkruan se Fredi Beleri është personi i fundit që do duhej të kandidohej si kryetar bashkie në Himarë, për turpin e atyre që e kandiduan dhe ndezën tensionet e harruara në Himarë.

“I bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të mos intimidohen nga asnjë lloj shantazhi e ndërhyrje në punën e saj. Drejtësia të marrë parasysh ligjin dhe provat që e akuzojnë Fredi Belerin.

Ligjin e luftës 83- vjeçar me Shqipërinë kur do e heqë Greqia? Apo është e zënë me vizitat speciale në burgun e Belerit?! Fredi Beleri, personi i fundit që do duhej të kandidohej si kryetar bashkie në Himarë, për turpin e atyre që e kandiduan dhe ndezën tensionet e harruara në Himarë. I përfshirë në masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar për dhunimin e simboleve kombëtare, dalja me flamurin e republikës së Vorio – Epirit të vitit 1914 që aneksonte Jugun e Shqipërisë dhe Protokollin e Korfuzit, thirrja për helenizimin e Jugut, do të ishin të mjaftueshme për institucionet e sigurisë kombëtare dhe të drejtësisë.

Fredi Bejleri është sot i akuzuar dhe me prova të pakundërshtueshme si blerës votash dhe shkatërrues i zgjedhjeve në Himarë. Si kurrë ndonjëherë ka presion nga një shtet anëtar i BE-së si Greqia, por edhe nga një pjesë e politikës së vendit, individë të cilët duan të helmojnë marrëdhëniet me gjitonin, që të mbyllin sytë organet tona të drejtësisë e të lirojnë këtë individ recidivist në krime të rënda penale.

Janë të papranueshme vizitat e funksionarëve të lartë të shtetit grek për burgaxhiun përsëritës Fredi Beleri. Për to kam vetëm një pyetje? Atë ligjin e luftës 83- vjeçar me Shqipërinë kur do e heqë Greqia? Apo është e zënë me vizitat speciale në burgun e Belerit?!

I bëj thirrje institucioneve tona të drejtësisë të mos intimidohen nga asnjë lloj shantazhi e ndërhyrje në punën e saj. E vetmja gjë që duhet të marrin parasysh është ligji dhe provat që e akuzojnë këtë individ.

Në Shqipëri duhet të marrë fund njëherë e mirë kultura e shantazhit të organeve të drejtësisë nga aktorë të brendshëm a të jashtëm qofshin. Ligji është i vetmi që duhet respektuar ndaj sot me shumë se kurrë institucionet tona duhet të jenë në respektim të rolit të tyre të rëndësishëm e të vlerësojnë vetëm provat që vërtetojnë akuzën ndaj tij.”, shkruan Idrizi.

presion greqi beleri shpetim idrizi drejtesi

Lini një Përgjigje