
Babloku ynë, po bëhet një kasnec turko-arab, për të përjashtuar Europën nga negociatat e Ukrainës, ndërkohë që në fushatë thotë se do e pranoj Shqipërinë në 2030 në BE...
Në lidhjen e tij online me Kievin, ku po mbahej samiti europian për Ukrainën, me rastin e 3 vjetorit të pushtimit, Edi Rama, propozoi që të hyjë në negociatat për paqen edhe Turqia.
Kryeministri shqiptar kritikoi edhe BE-në, se më shumë ka fjalë sesa vepra, ndërkohë që si i mërzitur nga situata, aktroi duke e sjellë qëndrimin e tij, si një ide modeste. U duk e qartë se Rama ka folur me porosi të mentorit të tij, presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.
Por siç duket, nuk bëhet fjalë, thjesht për një fjalim çaprazësh, sa për të gjetur ndonjë titull në portalet që mund të kenë shkruar ndonjë rresht për samitin.
Fakt është se i pari, i cili kërkoi që Turqia të luajë një rol në të ardhmen e negociatave për Ukrainën, ishte vetë Presidenti Volodomir Zelensky. E kjo ndodhi pikërisht pas telefonatës me Edi Ramën, i cili sipas të gjitha gjasave ka hyrë në lojë, si një telefon i prishtur, ndërmjet Sulltanit dhe presidentit Ukrainas.
Një burim diplomatik, i tha ‘Pamfleti’-t, se e gjitha kjo, nuk duket thjesht një dëshirë apo nismë e dy personave në këtë rast Erdogan dhe Rama, apo e dy kancelarive: në Ankara e Tiranë. Loja duket më e thellë se kaq, e ka shumë gjasa që në këtë rast të jetë një opsion që mund të përdoret në serinë e negociatave, ku sipas të dhënave mund të jetë i sinjalizuar, madje i dakortësuar edhe me Donald Trump. I cili ka marrëdhënie të mira me Erdogan, ndërkohë që flitet se për këtë opsion janë në lojë edhe dy emra të tjerë liderë evropianë, si Viktor Orban dhe Giorgia Meloni. Të dy munguan në samitin e Kievit, të dy kanë marrëdhënie të mira me Donald Trump, ndërkohë që Orban është edhe i afërt me Vladimir Putin.
Meloni, por edhe Orban, nuk e kanë me sy të mirë protagonizmin e Presidentit francez Makron, i cili tentoi ta llastojë Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, me të cilin ka marrëdhënie të vjetra.
Plani ku Rama po hyn si ndërmjetës, duket ka një fill që nuk është gjetur ende, por që e ‘nxori kokën’ në samitin e Azerbajxhanit, në një darkë të përbashkët me Llukashenkon e Bjellorusisë.
Turqia synon, që bashkë me disa vende arabe, që kanë marrëdhënie të mira me Moskën si Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe Katari, të jenë pjesë e planit të ardhshëm për rindërtimin e Ukrainës. Por që ta bëjnë këtë do të duhen të jenë edhe aktorë të rëndësishëm të bisedimeve për paqen.
Turqia, siç e propozoi Rama, por edhe Zelensky një ditë më parë, do të duhej të angazhohej për sigurinë e Ukrainës. Pra të ketë drejtimin e trupave paqeruajtëse, ndërsa arabët, planin e rindërtimit. Nuk është aspak rastësi, që Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, nga Tirana shkoi në Romë, në vizitën e parë zyrtare ku u prit me nderime nga Meloni e Matarella. E pas tij, edhe krerët e Arabisë Saudite.
Putinit i vlen si opsion, pasi me Turqinë ka marrëdhënie të mira dhe me arabët gjithashtu, ku përveçse ka zhvilluar transaksione financiare, duke i bërë zero sanksionet perëndimore, ka bërë edhe tregti pafund. Në kohën e pandemisë të gjithë këto vende morën vaksina ruse. Një pjesë të së cilave i morëm edhe ne.
Me një fjalë, Babloku ynë, po bëhet një kasnec turko-arab për Ukrainën, për të përjashtuar Europën, ndërkohë që në fushatë thotë se do e pranoj Shqipërinë në 2030 në BE. Por siç po shkojnë punët, do të përfundojmë në Ligën Arabe./Pamfleti
Lini një Përgjigje