TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2025, 09:51

Arrestet te 'Bujqësori', Rama sulmon SPAK: Pa ne s’do kishte as Prokurori të Posaçme as hetime VIP

Shkruar nga Pamfleti
Arrestet te 'Bujqësori', Rama sulmon SPAK: Pa ne s’do
Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i SPAK, Altin Dumani

Rama ka sulmuar SPAK-un, teksa u shpreh se pa PS dhe shumicën qeverisëse, Prokuroria e Posaçme dhe institucionet e reja të drejtësisë nuk do të ekzistonin.

Një ditë pasi policia ekzekutoi 24 masa sigurie ndaj 24 punonjësve të Universitetit Bujqësor në Kamëz për abuzim me tenderat, kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar për një dëgjesë me rektorin e këtij universiteti, Fatbardh Sallaku. 

Pasi dëgjoi rektorin dhe i dha leje të largohet, Rama tha se po shkelen standardet dhe se faturën në Strasburg për veprimet e kësaj drejtësie do ta paguajnë shqiptarët. 

“Ne nuk duam të rrimë sot pa folur dhe duhet të përgatiteni për të dëgjuar gjithmonë e më shumë nga ne që tani që reformën në drejtësi dhe SPAK-un dhe që i ngritëm ne dhe u dhamë hapësirë të bëjnë punën, i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit. Ne tani kemi hyrë në fazën e dytë, drejtësi europiane dhe jo ruse. Pavarësia është një nga kushtet, dy të tjerat janë profesionalizimi dhe standardet.

Nuk dua që tani që po negociojmë me BE-në, të çohet një holandez dhe francez dhe të thotë që Shqipëria nuk ka gjykata dhe prokurori që respekton standardet demokratike dhe që njeh prezumimin e pafajësisë. Ne nuk ofrojmë asnjë model negativ. Këta thoshin e solli Amerika, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti? Vetëm PS, askush tjetër, prandaj nëse nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE-së dhe demokratik.

Nuk do ndonjë shkencë për të imagjinuar sa nga këto masa sigurie do të rrëzohen në Strasburg dhe sa do të shkojë fatura. Të marrësh 24 masa sigurie, të trondisësh një universitet të tërë dhe t’i japësh një shkelm një marrëveshje të bërë duke shkuar unë atje si lyps tek shkallët e universitetit të BOKU-t në Vjenë për t’ju lutur, që hajdeni në Shqipëri, hajdeni ta bëjmë një universitet austriak. Pyeta rektorin për çfarë shume bëhet fjalë, më tha nën 300 mln lekë të vjetra”, tha Rama.

Më tej, kryeministri Rama ka sulmuar SPAK-un, teksa u shpreh se pa PS dhe shumicën qeverisëse, Prokuroria e Posaçme dhe institucionet e reja të drejtësisë nuk do të ekzistonin.

Ai tha gjithashtu se nëse PS nuk do të ekzistonte, nuk do të kishte as hetime VIP në Shqipëri. 

"Ne kërkojmë një drejtësi të pavarur dhe evropiane. Nuk e di pse flasin për strategji elektorale. Ne nuk kemi asnjë strategji elektorale për të minuar asnjë hetim. As rektori nuk u ftua për të ngritur flamurin e pafajësisë për 24 persona që janë marrë me masë sigurie pa gjyq. As ne nuk kemi marrë përsipër në asnjë rast që të themi cili është i fajshëm dhe cili jo. Asnjë nuk konkurron dot në asnjë formë me këtë parti, me këtë forcë politike, me këtë mazhorancë qeverisëse për sa i përket luftës për të pasur një drejtësi të pavarur dhe të drejtë.

Po mos ishte kjo parti, nuk do shikonin kurrë hetime VIP në Shqipëri, nuk do shikonin kurrë një forcë politike në pushtet e cila vullnetarisht ka tërhequr duart komplet nga kontrolli i pushtetit të drejtësisë. Ne nuk mund të rrimë sot pa folur dhe duhet të përgatiteni që të dëgjoni gjithmonë më shumë nga ne. Tani që Reformën në Drejtësi, SPAK dhe Gjykatën Speciale, që i ngritëm ne dhe i kanë marrë të tjerët në birësim pas pilafit, ne kemi hyrë në fazën e dytë. Faza e dytë është drejtësi evropiane jo drejtësi ruse. Pavarësia është kushti i parë. Profesionalizmi dhe standardet evropiane janë dy kushte të tjera të panegociueshmë", tha Rama.

Lini një Përgjigje