TAGS-AT E JAVËS

Politike 8 Shkurt 2024, 21:20

“Politikanët kanë në offshore miliarda lekë”, Ngjela: SPAK i ka trembur të gjithë, por edhe aty ka “mollë të kalbura”!

Shkruar nga Pamfleti

“Politikanët kanë në offshore miliarda lekë”,

E ka domosdoshmëri luftën kundër korrupsionit shoqëria shqiptare sepse ka bllokuar kanalet e zhvillimit shoqëror....

Avokat Spartak Ngjela thotë se 2024 do të jetë viti i SPAK. Sipas tij, Amerika është vendosur të shkulë rrënjët e korrupsionit përmes Prokurorisë së Posaçme. I ftuar në një emision, Ngjela tregoi edhe një bisedë me ish-ambasadoren e SHBA në Shqipëri, zonjën Yuri Kim për financimin dhe mbrojtjen e trupës së SPAK.

Ngjela u shpreh për çdo pyetje që lidhet me kaosin që shohim sot në kuvend ka vetëm një përgjigje: frika nga reforma në drejtësi.

Ata që sot bëjnë rrëmuja kanë qenë mjaft të qetë para se të niste reforma në drejtësi. Në momentet kur nisi reforma në drejtësi, patën konflikte dhe turbullime të brendshme, edhe në psikikën e secilit por edhe në shoqërinë e secilit. Por reformën në drejtësi nuk po e bëjnë shqiptarët por ndërkombëtarët dhe nga reforma në drejtësi nuk do të hiqet dorë sado të përpiqen”, u shpreh zoti Ngjela.

Sipas tij, Amerika e ka bërë të qartë se të korruptuarit do të shkojnë pas hekurave. Por sipas Ngjelës ka “mollë të kalbura” dhe në SPAK. Ai shprehet se disa prokurorë kanë frikë, e të tjerët janë të korruptuar.

Është Amerika ajo që e ka marrë përsipër të luftojë korrupsionin në Shqipëri. Blinken e tha qartë se kush e drejton SPAK. Pyetja që duhet të bëjmë sot është nëse do ta vazhdojë SHBA luftën kundër korrupsionit. Të gjitha sinjalet të çojnë në një përgjigje, që po, Amerika është e vendosur t’i shkulë rrënjët e korrupsionit në Shqipëri. Megjithatë ata nuk e kanë të lehtë. Unë kam biseduar me disa ekspertë të cilët më kanë thënë që SPAK ka edhe prokurorë të trembur dhe një përqindje të vogël të korruptuar.

Këtë çështje e kam diskutuar me ambasadoren e SHBA në Shqipëri zonjën Yuri Kim. Unë i propozova zonjës Kim në bisedën që patëm, që të vendoset mbrojtje për trupën e SPAK. Asokohe zonja Kim më tha që në Uashinton janë zhvilluar biseda në mënyrë që paratë me të cilat duhet të paguhet mbrojtja dhe trupat e SPAK, të dalë nga parlamenti. Dhe kështu ndodhi, ata marrin rroga shumë të larta dhe janë të mbrojtur.

Ecuria e SPAK shikohet ndryshe nga optika e gjithsecilit. Por për mendimin tim, janë në rrugën e duhur. Nuk janë të lehta goditjet e tyre. Ekspertët që shqyrtojnë çështjet janë ndërkombëtarë. Prandaj nuk ka një ritëm jashtëzakonisht të shpejtë në rezultate, sepse ata kërkojnë prova absolute”, u shpreh Ngjela në “Dritare TV”.

Avokati thotë se korrupsioni në Shqipëri ka stopuar zhvillimin. Ngjela vuri theksin te rritja e pagave të shtetit, që do të nxisë më tej edhe rritjen e rrogave në privat, duke bërë që ekonomia e tregut të lëvizë.

E ka domosdoshmëri luftën kundër korrupsionit shoqëria shqiptare sepse ka bllokuar kanalet e zhvillimit shoqëror.

Nëse një vend kapitalist e pushton korrupsioni shoqëria shkon në drejt degradimit deri në një varfërie ekstreme. Sepse ndalon konkurrenca në treg dhe paraja shkon vetëm në disa duar.

Po ju jap një shembull nga perëndimi ku ka patur një konflikt të madh shekullor në funksion të akumulimit të parave në lidhje me tregun dhe arritën të neutralizonin diferencën e madhe të pasurive në funksion të punës. Puna u pagua mirë në perëndim, gjë që nuk po ndodh në Shqipëri sepse këta nuk e kuptojnë se çfarë është puna dhe se sa duhet të paguhet një shqiptar sot. Po të rriten pagat e shtetit do të rriten edhe pagat e privatit.

Po të rriten pagat në përgjithësi do të rritet edhe konsumi në treg. Dhe kështu fiton më shumë shteti, përmes taksave. Kështu pasurohet edhe shteti që më pas investon dhe ndihmon shtresat në nevojë.

Në Shqipëri kjo nuk kuptohet. Korrupsioni po pengon tregun të zhvillohet. Ka pasur korrupsione të mëdha edhe në Itali apo vende të tjera në zhvillim. Por diferenca është që të korruptuarit kanë bërë investime të mëdha industriale. Ndërsa të korruptuarit në Shqipëri i ruajnë në offshorë dhe bëhet fjalë për miliarda lekë”, u shpreh Ngjela.

Lini një Përgjigje