“Mikhail Gorbachov e humbi pushtetin e tij si president i Bashkimit Sovjetik që në vitin e tij të parë të qeverisjes. Putin nuk është më i sigurt vetëm sepse tani po fiton një mandat tjetër. Çdo vit që kalon bart të njëjtin rrezik për të. Ai nuk ka asnjë rrugëdalje nga kursi që po ndjek. Nuk mund ta ndalë luftën, dhe as mund të ndalojë shtypjen brenda vendit”
Përpara zgjedhjeve presidenciale, për fitoren e të cilave nuk kishte asnjë dyshim, Vladimir Putin prezantoi muajin e kaluar prioritetet buxhetore nga tani dhe deri në vitin 2030. Një mandat 12 muaj më i gjatë se sa planet e dikurshme 5-vjeçare të Stalinit, rekordin e të cilët si udhëheqës i Kremlinit Putin duket se do ta thyejë.
Ndërsa Putin nuk e përdori fjalimin e tij vjetor për të shpallur ndonjë “hap të madh përpara”, ai foli para Asamblesë Federale më shumë për programet sociale sesa për luftën në Ukrainë, e cila po bëhet një parim qendror organizues i ekonomisë dhe i sundimit të tij.
Këto plane përfshijnë adresimin e krizës demografike, ku Putin premtoi se jetëgjatësia në Rusi deri në vitin 2030 do të arrijë në 78 vjeç, që do të jetë edhe mosha e tij nëse do të arrijë ta çojë deri në fund mandatin e tij. Ekspertët thonë se mund të kemi shtypje më të mëdha, një ekonomi që përballet më shumë sfida dhe përpjekje për të aneksuar më shumë territore nga Ukrainë por edhe vende të tjera.
Ekonomia
Kursi i këmbimit prej rreth 90 rubla për 1 dollarë amerikan, nënkupton se planet e shpenzimeve të Putinit kanë shumë zero: sipas Bloomberg, deri në 15 trilionë rubla (164 miliardë dollarë) nga tani dhe deri në vitin 2030. Këtu përfshihen 1 trilionë rubla (10.9 miliardë dollarë) për spitalet dhe 400 miliardë rubla (4.4 miliardë dollarë) për shkollat dhe kopshtet.
Por në një vend me një popullsi prej rreth 140 milionë banorësh, këto janë çikërrima. “2024-a është viti i parë që nga koha e Bashkimit Sovjetik kur buxheti ushtarak dhe policor i marrë së bashku, është më i madh se buxheti social”- thotë politikani i opozitës rus Aleksei Miniailo, duke theksuar se mbrojtja do të zërë 1/3 e shpenzimeve të qeverisë ruse për këtë vit.
“Ai e sheh se njerëzit janë shumë të lodhur nga lufta. Pak rusë kanë një qëndrim të fortë mbështetës për luftën, dhe se ata duan që qeveria të përqendrohet në punët e brendshme. Putin dëshiron të duket sikur po i kushton më shumë vëmendje çështjeve të brendshme, por në fakt nuk është kështu”- shprehet Miniailo për Newsweek.
Ky i fundit ka bashkë-themeltar i Chronicles, një organizatë sociologësh që kryen sondazhe të pavarura. Në janar të këtij viti, ata zbuluan se shumica e rusëve, 83 për qind, duan që Putin dhe qeveria të fokusohen tek problemet e brendshme. “Putini po tërheq më shumë njerëz në vijën e parë të frontit, duke përfshirë gjithnjë e më shumë njerëz në ekonominë ushtarake. Dhe ekonomia vendase po vuan shumë për shkak të kësaj qasje”- thekson ai.
NATO, Perëndimi dhe Ukraina
Putin e përdori fjalimin e tij të muajit të kaluar dhe një intervistë të dhënë së fundmi për t`i dhënë disa mesazhe Perëndimit. Në këtë të fundit, ai tha se Rusia është e gatshme të përdorë armë bërthamore dhe kritikoi zgjedhjet në SHBA, të cilat mund të risjellin në Shtëpinë e Bardhë Donald Trump, dhe pikëpyetjet mbi lidhjet e tij me Kremlinin.
“Faktori më i rëndësishëm është ajo që do të ndodhë në zgjedhjet e fundit të këtij viti në SHBA”- deklaron Ken Osgood, profesor i historisë në Colorado School of Mines, duke e vënë theksin tek paralajmërimi i Trump dhe fraksioni MAGA në Partinë Republikane për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Një tërheqje e mbështetjes së SHBA-së dhe presioni i saj mbi Ukrainën për të negociuar, do të nënkuptonte një fitore për Putin. Edhe nëse do të mbajë territoret që ka pushtuar deri më sot, Putin do të pretendojë se ka arritur fitoren. Dhe pasojat e një skenari të tillë do të ndihen me vite të tëra.
A do të thotë kjo se Putin do të pushtojë Poloninë apo do të fillojë një luftë me NATO-n? Nuk ka shumë gjasa. Sepse edhe nëse SHBA tërhiqet nga NATO, ajo mbetet ende një aleancë e frikshme dhe e armatosur me armë bërthamore. Ndaj një sulmi i drejtpërdrejtë nga Moska që do të shkaktonte një kundërpërgjigje të madhe, gjë që do të ishte një idiotësi”- thotë ai për Newsweek.
Megjithatë, Putin ka të ngjarë të përdorë taktika kibernetike agresive dhe luftën informative për të provokuar ndarje brenda aleancës, thekson eksperti. “Putin ka të ngjarë të përpiqet të mbështesë politikanët miqësorë me Rusinë, si udhëheqësi i Hungarisë Victor Orban, sigurisht edhe Donald Trump”- shton ai.
John Lough, bashkëpunëtor i programit të Rusisë dhe Euroazisë në grupin e ekspertëve “Chatham House” tha se 6 vitet e tjera të sundimit të Putinit do ta bëjnë vendin “gjithnjë e më të zymtë”. “Sipas pikëpamjes së shumë rusëve, Putin i privoi ata nga një e ardhme. Dhe unë mendoj se kjo është diçka që do të bëhet shumë më e qartë ndoshta 5-10 vitet e ardhshme”- thotë Lough për Newsweek.
“Shpresa e Putinit është që Perëndimi të përçahet dhe që ai të mund të arrijë një lloj fitoreje në Ukrainë”- shton ai. Largimi i SHBA-së nga Evropa dhe një NATO që bëhet më pak efektive mund të jenë fusha të cilat padyshim ai do t`i shesë si “frytet e punës së tij”, shtoi Lough.
Por sipas tij Rusia do të bëhet gjithnjë e më i izoluar, dhe gjithnjë e më jotërheqëse për investimet e huaja. Putin ka hedhur poshtë si “të pakuptimta” pretendimet e presidentit amerikan Joe Biden dhe ua ka vënë syrin vendeve të tjera pas Ukrainës. Megjithatë nëse lufta ndërpritet është e paqartë se çfarë mund të përpiqet t’i paraqesë popullit të tij si një fitore.
“Unë nuk besoj se Putin dëshiron që të pushtojë të gjithë Ukrainën për sa kohë që kostot janë shumë të larta”- shprehet Mietek Boduszyński, ish-diplomat amerikan që ka shërbyer si këshilltar për politikat në Pentagon. “Putini do të kërkojë të mbajë pjesët e Ukrainës që Rusia i kontrollon aktualisht si një enklavë ruse, duke shpresuar që të mbajë Ukrainën të ndarë, të dobët dhe me më pak gjasa për të hyrë në NATO ose BE”- tha ai.
“Nga ana tjetër nuk mendoj se Putin dëshiron që të nisë një luftë konvencionale në shkallë të plotë me NATO-n. Megjithatë ai dëshiron të vazhdojë dhe gjejë mënyra për të përçarë aleancën veri-atlantike dhe të përdorë mjete si fushatat e keqinformimit dhe sulmet kibernetike për të zhvilluar një luftë alternative ndaj vendeve të NATO-s”- shtoi Boduszyński, profesor i asociuar në Kolegjin Pomona në Kaliforni.
Një shtypje edhe më e madhe
Kohët e fundit Putin mund ta ndiejë se është me fat, pasi arriti të shtypë rebelimin e mercenarëve të Wagner, Yevgeny Prigozhin, ndërsa forcat e tij e kanë rifituar iniciativën në fushën e betejës në Ukrainën. Po ashtu, vdekja e Alexei Navalny ka shënuar daljen nga skena të figurës më të njohur opozitare në vend, teksa mund të pritet një shtypje e mëtejshme e çdo lloj zëri kundër tij.
“Ajo që mund të pritet brenda Rusisë është më shumë shtypje. Më shumë përpjekje për të ndërprerë qarkullimin e çdo informacioni që është kundër mesazhit të regjimit, dhe që mund të marrë forma të ndryshme për sa i përket aksesit në platformat e mediave sociale”- thotë Brian Taylor, autor i librit “Kodi i Putinizmit”.
“Për 24 vjet trajektorja ka qenë pothuajse në një kah, dhe vazhdon të jetë në drejtim të më pak lirie dhe më shumë shtypjeje”- thotë Taylor, politolog në Universitetin e Syracuse, Nju Jork. Megjithatë, fitorja e Putinit nuk do të thotë domosdoshmërisht një mandat 6-vjeçar i patrazuar, edhe për shkak të ndikimit të sanksioneve që vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë ruse por edhe humbjeve të mëdha të trupave në front, si në Avdiivka,
që kanë një kosto të madhe për popullsinë dhe mund ta kërcënojnë sundimin e Putinit.
“Nëse e bën këtë edhe 5 herë të tjera, atëherë kjo do të thellojë presionin tashmë shumë të madh mbi shoqërinë ruse”- deklaron Konstantin Sonin, një kritik i Kremlinit dhe profesor i ekonomisë në Shkollën e Politikave Publike Harris të Universitetit të Çikagos.
“Unë nuk mendoj se ka ndonjë rëndësi për zgjedhjet. Mikhail Gorbachev e humbi pushtetin e tij si president i Bashkimit Sovjetik që në vitin e tij të parë të qeverisjes. Putin nuk është më i sigurt vetëm sepse tani po fiton një mandat tjetër. Çdo vit që kalon bart të njëjtin rrezik për të.
Ai nuk ka asnjë rrugëdalje nga kursi që po ndjek. Nuk mund ta ndalë luftën, dhe as mund të ndalojë shtypjen brenda vendit”- thekson politologu./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”
Lini një Përgjigje