E në Shqipëri, kur SPAK do të kapë një peshk të madh? Sipas të gjitha gjasave, kur të shkojmë te ajo faqja e skenarit që ka shkruar artisti i gjatë.
Steve Murphey dhe Javier Penja janë dy agjentët më të famshëm të DEA-s amerikane, rrëfimi i të cilëve i dha jetë serialit të Netfix: “Narcos”.
Në rrëfimin e tyre, ata përshkruajnë sesi gëzohej agjencia amerikane e antidrogës kur në portin e Miamit kapte sasira të herëpashershme me kokainë që vinte nga Kolumbia.
Më vonë, u mësua se thuajse në 90% e rasteve, gjahu i DEA-s nuk ishte gjë tjetër veçse një “dhuratë” apo një kafshatë që nëna i jep fëmijës së vogël për ta englendisur.
Megjithatë, Murphey dhe Penja theksojnë në rrëfimin e tyre, që edhe kur e morën vesh se gjithçka kapnin ishte një tip gracke, ata kënaqeshin e festonin si të marrë. Pasi në fund të fundit, dikush duhet të gëzohet se miliarda dollarë të taksapaguesve për diçka shërbenin, apo jo?
Kështu edhe seria e zyrtarucëve të vegjël, si kjo e fundit, sekretare e përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë që u arrestua për 330 mijë lekë të reja, edhe pse duket si një tallje e madhe, sërish i ushqen masat me peshq. Deti kështu është… herë sjell cironka e herë sardele. Tani peshkaqenët duan mund të madh.
E meqë ra fjala te peshqit e mëdhenj, edhe pa to nuk kemi qenë apo jo. Kryebashkiaku i Lushjes dhe ai i Bulqizës, vërtetë nuk ishin aq të mëdhenj, por edhe të vegjël nuk ishin…
Në të gjithë këtë panoramë surrealiste që duket është vizatuar nga artisti i gjatë që kemi kryeministër mbi shkresat zyrtare të prokurorisë speciale, pyetja që vjen spontane është: Si ka mundësi që kapen në afera zyetarët që negociojnë rryshfete që tavanin e kanë maksimumi 3 milion lekë të vjetra, apo që mund të kenë brenda edhe një arkë peshk? Po, se peshku është metafora apo jo? E këtu artisti i gjatë, kujdeset që të mos mungojë simbolika përveç elementit të mërzitshëm të parave. Siç ka thënë i madhi, lekët nuk kanë shumë rëndësi për të. Madje e dinë të gjithë se ai nuk mban lekë në xhep. Edhe në lokale që pi kafe apo ha drekë nuk paguan kurrë. S’ka asnjëherë të holla me vete!
Po mirë përse SPAK nuk po arrin të kapë një lepur të madh në shkurren e vogël?
Sepse ashtu si homologia e Amerikës, siç përshkruajnë agjentët e DEA-s, i vinte ëmbël kur ngarkesat vinin si karamele dhuratë. Derisa erdhi një ditë, e u tha që kjo nuk mjafton e duhen baronët e mëdhenj. Kështu u vra Escobari, u arrestuan bosët e Kartelit të Kalit, më pas u ekstradua El Çapo etj etj.
E në Shqipëri, kur SPAK do të kapë një peshk të madh? Sipas të gjitha gjasave, kur të shkojmë te ajo faqja e skenarit që ka shkruar artisti i gjatë. Siç po flitet këto ditë për një ish-kryebashkiak të rëndësishëm. Po si ka mundësi që flitet, pa e arrestuar më parë? Sepse gjasat janë që nuk duan ta arrestojnë, por shantazhojnë që të mos llapi andej këndej, siç ka nisur të flasë lart e poshtë…/Pamfleti
Lini një Përgjigje