
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me ekzekutimin e 62-vjeçarit në Maliq nga policia pasi hapi zjarr ndaj bluve. Berisha e dënon ashpër këtë akt duke e cilësuar vrasjen e tij si vrasje në rrethana të dyshimta.
Berisha deklaron se vrasja duhej të shmangej. Sipas tij, cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës ndaj policëve për vrasjen e tij, teksa i bën thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin.
“Një vrasje që duhej të shmangej. Taulant Bego etj., etj., nxit vrasjet nga policia.
Të dashur miq, policia ekzekuton Ramiz Muçollarin në papafingon e shtëpisë së tij. Ajo flet për shkëmbim zjarrin në papafingo, pretendim jo bindës!
Muçollari i cili vuante nga shëndeti mendor, kishte plagosur më parë gruan dhe djalin me thikë e sende të forta dhe sigurisht ai duhet të dorëzohej. Ai nuk mund të kërcënonte në asnjë rrethanë jetën e policëve.
Por cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës ndaj policëve për vrasjen e tij. Ai plagosi, por nuk mori jetë njeriu. Duke ditur dhe problemet me shëndetin mendor të viktimës durim më i madh në rrethim duhej treguar, para se të hynin në papafingo dhe të shkrehnin breshëritë mbi trupin e tij
Ju uroj shërim të shpejtë gruas dhe djalit të plagosur, dënoj ekzekutimin e tij në rrethana të dyshimta dhe dënoj fort përgëzimin e Taulant Bego etj., etj., për vrasjen nga policia të një të sëmuri të strukur në papafingon e shtëpisë së tij.
I bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin për këtë vrasje të parandalueshme dhe ndaj Ballës që me përgëzimin e tij cinik ekstrem, inkurajon dhe nxit vrasjet nga policia”, shkruan Berisha në Facebook.
Lini një Përgjigje