
Ish-deputeti i PD-së Fatbardh Kadilli akuzoi Gazment Bardhin duke thënë se ky i fundit nuk po vepron në interes të Partisë Demokratike. Sipas tij, rasti i Bardhit është rasti kur po ndiqet karriera politike për interesa personale.
“Për fat të keq, zor se mund ta quaja fraksion, por për fat të keq ai grup është duke ndjekur llogaritë e karrierës politike, nuk është duke prodhuar politikë. Fakti që ata po lëvizin drejt Berishës, nuk është se ata shkuan drejt Berishës duke mbajtur të njëjtat qëndrime që kishin para 6 muajsh, 1 viti apo 2 vjetësh, por shkuan duke ndërruar qëndrimet e tyre”, u shpreh Kadilli për “Euronews Albania”.
Ndër të tjera, ish-deputeti shtoi se “mea culpa” e Lulzim Bashës nuk mjafton. Ai tha gjithashtu se Basha duhet të lejojë edhe mendimet ndryshe dhe t’i japë hapësirë kundërshtarëve.
Kujtojmë se, Sali Berisha dhe Gazmet Bardhi po shkojnë drejt një pazari mes tyre, për të dalë me një grup të vetëm parlamentar. Mësohet se gjatë javës së fundit ka pasur biseda dhe negociatat mes ish-kryeministrit dhe Sekretarit të PD. Mësohet se plani është që Bardhi dhe ata pak deputetë pas tij, të bashkohen me Berishën dhe të krijojnë një grup të përbashkët parlamentar. Aktualisht grupin zyrtar e drejton Bardhi dhe plani është që gjithë të përjashtuarit të rikthen dhe të dalin me një grup më të gjerë. Kjo u pranua edhe nga Berisha, i cili tha se është i gatshëm për një skenar të tillë.
Skenari është që Basha të dalë jashtë loje. Bardhi është kthyer në armik të tij dhe ashtu sikundër flitej, ka vendosur të kalojë në krahun e Berishës. Pas largimit të Alibeajt, vulën e PD e ka marrë Bardhi. Duke qenë se Berisha mban selinë dhe Bardhi vulën, bashkimi i tyre duket se e nxjerr jashtë loje Bashën. Ky i fundit njihet nga gjykata, por pa vulë dhe seli, lufta do jetë më e fortë.
Gjithashtu, Kuvendi Kombëtar i PD i mbledhur të shtunën nga kreu i saj Lulzim Basha ka miratuar të gjitha ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike.
Më ndryshimin e statutit, Basha do të jetë edhe kreu i grupit parlamentar kur kjo parti të jetë në opozitë, post të cilin e mbante Gazment Bardhi.
Lini një Përgjigje