
Deputeti Gazmende Bardhi duke komentuar për situatën brenda PD-së, ka folur edhe se si do të veprohet me deputetët e përjashtuar nga grupi parlamentar nga Basha dhe Alibeaj.
Në një intervistë për emisionin “Now” në “Euronews Albania”, Bardhi ndërsa fliste për platformën e bashkimit të PD-së tha se këta kolegë të përjashtuar nuk janë problemi i përçarjes.
Ai shtoi se e vetmja pikë ku ndahen të dy grupet, është orientimi dhe nevoja e PD-së për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Përçarja në grupin parlamentar ka ardhur për shkak të përçarjes në parti. Ka nisur për shkak të një vendimi që lidhej me zotin Berisha dhe faktin nëse do të duhej të ruhej apo jo partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne jemi ndarë në dy pjesë.
Ka një pjesë brenda Partisë Demokratike që thonë se mund të vijmë në pushtet dhe PD-ja mund të jetë e fortë edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje dhe në konflikt të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka një pjesë tjetër, ku bëj pjesë edhe unë, që gjykon se pa partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa mbështetjen e tyre dhe të partnerëve tanë strategjikë, Partia Demokratike jo vetëm nuk është më e fortë, por bëhet një forcë që e ka të pamundur qeverisjen”, u shpreh Bardhi.
Lini një Përgjigje