Në muajin qershor 2011, Prokuroria e Tiranës në bashkëveprim me ish-Drejtuesit e Policisë së Shtetit e të Gardës të asaj kohe, sekuestroi armët për ekspertim në funksion të hetimit të çështjes, por ato u zhdukën dhe u deklaruan jashtë përdorimit e të asgjësuara...
Në komunikimin me gazetarët, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se do zbatohet vendimi i Gjykatës së Lartë, për ri-hetimin e plotë të ngjarjes së rëndë të 21 janarit 2011, ku Garda e Republikës vrau 4 protestues te sheshi para kryeministrisë.
Mungesa e hetimit, u konstatua dhe nga Gjykata e Strasburgut, madje vrasjet më 21 janar i cilësoi “krim shtetëror”; ndërsa pas këtij vendimi, Gjykata e Lartë pranoi kërkesën e familjes së Aleks Nikës, që çështja të hetohet nga SPAK, megjithëse prokurori i SPAK, Alfred Shehu e refuzoi.
Tashmë, krimi shtetëror i 21 janarit 2011 është futur në proces hetimi nga SPAK, mbështetur në vendimin e Gjykatës së Strasburgut dhe të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.
Do hetohen veprimet e krejt zinxhirit zyrtar ditën e ngjarjes, nga kryeministri Sali Berisha, ish-Zv/kryeministi Ilir Meta, ish- ministri i Brendshëm, Lulzim Basha e deri të zbatuesit, nëse kanë dhënë urdhër për të qëlluar mbi protestuesit dhe cilët kanë urdhëruar.
Por nga hetimet e deritanishme, ka dalë se janë dëmtuar e zhdukur prova materiale të atij krimi; mes tyre serverët e kamerave brenda e jashtë kryeministrisë, madje dhe të godinës së Kuvendit e objekteve private në sheshin ku ndodhën vrasjet.
Serverët e kamerave brenda kryeministrisë, thuhet se disponohen nga FBI e cila i ka depozituar në SPAK, ndërsa për veprimet e tjera të Gardës, Policisë, SHISH e zyrtarëve të kryeministrisë më 21 janar 2011, do kalojnë në filtër hetimi e seancë pyetjesh, të gjithë shefat dhe efektivët e angazhuar.
Për armët e zhdukura, me të cilat është qëlluar mbi protestuesit, SPAK duhet të marrë si provë zyrtare, Raportin e Auditimit Nr. 86, datë 25 shtator 2019, që KLSH ka bërë te Garda.
Në raport thuhet, se te Garda mungojnë 8 armë që janë përdorur në ngjarjen e 21 janarit; të cilat, në bashkëveprim me ish-Drejtuesit e Policisë së Shtetit të asaj kohe, ato armë janë sekuestruar në muajin qershor 2011 nga Prokuroria e Tiranës, për ekspertim në funksion të hetimit të çështjes.
KLSH ka evidentuar me lloje, vite prodhimi e numra serie, 8 armët me të cilat është qëlluar mbi protestuesit më 21 janar; por pas sekuestrimit nga prokuroria në muajin qershor 2011, ato nuk janë rikthyer në Gardën e Republikës deri në muajin shtator 2019 kur KLSH ka kryer auditimin.
Këto 8 armë nuk janë rikthyer as sot në Gardën e Republikës, mbasi në përgjigjen që Garda e Republikës ka marrë për Kërkesën Nr. 533, datë 07.03.2019, drejtuar Policisë së Shtetit, kjo drejtori, me Shkresë Nr. 2492/1, datë 04.04.2019, thotë se armët nuk gjenden në Prokurori.
Ndërsa në auditimin, që Drejtoria e Policisë ka kryer në muajin qershor 2021 në Gardën e Republikës, është zbuluar një urdhër i ish-drejtorit Ardi Veliu, që 8 armët e përdorura më 21 janar e të zhdukura, të konsiderohen “Armatim jashtë përdorimit dhe të hiqen nga inventari i Gardës”.
SPAK, mbështetur në raportin e KLSH, të hetojë linjën dhe përgjegjësinë zyrtare, të tërheqjes dhe zhdukjes së 8 armëve; me të cilat efektivët e Gardës qëlluan mbi protestuesit e që mungojnë, të cilat penalisht janë zhdukje e provave materiale të krimit./Pamfleti
Lini një Përgjigje