TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shtator 2024, 22:43

PD zbret në rrugë pas dënimit të Salianjit, më 6 tetor protestë kombëtare; pritet revoltë edhe në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
PD zbret në rrugë pas dënimit të Salianjit, më 6 tetor
Kryesia e PD

Nesër do të mblidhet grupi parlamentar i PD, ku do të vendoset forma e reagimit edhe brenda Kuvendit...

Partia Demokratike më 6 tetor do të zbresë në shesh kundër qeverisë. Pas disa orësh diskutimesh, Kryesia e PD ka vendosur që të dielën e parë të tetorit të protestojnë kundër vendimit që u mor sot ndaj deputetit Ervin Salianji, por jo vetëm.

Salianji u dënua me 1 vit burg, por për opozitën është një vendim politik. Për këtë arsye u mblodh Kryesia e PD, ku u diskutuan të gjitha format e reagimit.

Fillimisht ishte Berisha, ai që kërkoi protesta dhe revolta. Kreu i partisë, në fjalën që mbajti online nga banesa, deklaroi se e vetmja rrugë janë protestat. Sipas tij, të gjithë duhet të dalin në shesh kundër Edi Ramës.

Qëndrimi ynë do të jetë një opozitë me të madh dhe të vogël, me të gjithë ata që guxojnë në protesta, në protesta, në protesta. Qëndrimi ynë do të jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh të përballjes dhëmbë për dhëmbë, si objektivi më madhor absolut me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë. Me këtë regjim që bën gjithçka të mos ketë opozitë. Me këtë regjim që trajton Shqipërinë si plaçkë personale. Si çiflig. Pa një opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm”, tha ai.

Më pas e mori fjalën Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili u propozoi anëtarëve që të dalin në protesta ekstreme. “Rruga e vetme është të përballemi, të mos presim radhën e tjetrit. Ky regjim nuk ndalet ndryshe”, tha Noka.

Më tej ai ka propozuar protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore dhe të porteve, aeroporteve, universiteteve, etj. Format e reagimit u mbështetën dhe nga disa deputetë të tjerë, por pas 3 orësh diskutime u vendos që më 6 tetor të mbahet protesta e parë kombëtare dhe më pas të vijohet me forma të tjera të reagimit. Detajet u dhanë po nga Noka në një komunikim me gazetarët. 

Edi Rama me të gjitha këto vendime ka treguar se është i vendosur ti shpallë luftë opozitës. PD me përgjegjshmëri absolute e trajtoi këtë situatë dhe ka vendosur të përvijojë aksionin e saj. Data 6 tetor do të jetë dita e parë e aksionit opozitar të vjeshtës. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kur drejtësia e re vepron në kundërshtim të ligjeve të Kushtetutës, kur drejtësia e re bëhet marjonet në duart e Ramës dhe regjimit, kur vendos padrejtësinë si normën e saj në raport me opozitën. Rama me vendimin për burgosjen e Salianjit kërkon të kërcënojë opozitën se kush lufton kundër Ramës dhe ministrave të tij, kush denoncon Ramën dhe narkotrafikun e pret ky fat. Opozita nuk do të rrijë duarkryq”, tha Noka.

Ndërkohë pritet reagim edhe në Kuvend. Nesër do të mblidhet grupi parlamentar i PD, ku do të vendoset forma e reagimit. Sipas burimeve, pritet që të diskutohen opsionet që nga bojkoti, deri te destabilizimi në sallë dhe komisione, duke bllokuar punën. Ndërkohë sot në media deputeti Dashnor Sula hodhi idenë e grevës së urisë. /Pamfleti



Lini një Përgjigje