TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shtator 2024, 21:06

PD mosbindje civile pas dënimit të Salianjit, protesta dhe bllokime të rrugëve, porteve dhe aeroportit!

Shkruar nga Pamfleti
PD mosbindje civile pas dënimit të Salianjit, protesta dhe bllokime
Kryesia e PD

PD mblodhi Kryesinë pas dënimit të Salianjit, duke vendosur të shkohet te mosbindja civile...

Partia Demokratike ka vendosur të shkojë drejt mosbindjes civile pas dënimit me burg të Ervin Salianjit.

Deputeti i PD u dënua me 1 vit burg për dosjen e famshme “Babale”. Pas disa vitesh zvarritje, vendimi vjen në prag të zgjedhjeve dhe kjo ka sjellë shumë reagime nga opozita, e cila e sheh si një goditje ndaj saj. Demokratët shprehen se gjyqtarët i janë nënshtruar qeverisë dhe për këtë arsye sot në mbrëmje u hodh teza e revoltave.

PD mblodhi Kryesinë për të dalë me një vendim mbi reagimin që do të ketë mbi dënimin e Salianjit. Kreu i partisë, Sali Berisha në fjalën që mbajti online nga banesa, deklaroi se e vetmja rrugë janë protestat. Sipas tij, të gjithë duhet të dalin në shesh kundër Edi Ramës.

Qendrimi ynë do të jetë një opozitë me të madh dhe të vogël, me të gjithë ata që guxojnë në protesta, në protesta, në protesta. Qendrimi ynë do të jetë, përqafimi i modelit të rezistencës në rrugë, në shesh të përballjes dhëmbë për dhëmbë, si objektivi më madhor absolut me këtë regjim që nuk njeh Kushtetutë. Me këtë regjim që bën gjithçka të mos ketë opozitë. Me këtë regjim që trajton Shqipërinë si plaçkë personale. Si çiflig. Pa një opozitë sovrane nuk ka sovranitet të brendshëm”, tha ai.

Më tej ai tha se Rama i ka shpallur luftë opozitës. Sipas Berishës, duhet përballje dhe mosbindje civile kundër këtij regjimi, siç e quajti ai.

Ftoj drejtuesit e PD të dalin në sheshin e mejdanit. Salianji është secili prej nesh. Salianji është secili prej qytetarëve, secili prej opozitarëve., kriminelëve nuk u shtrihet kurrë qafa, përkundrazi dhëmbë për dhembë dhe ballë për ballë. Shpëtojmë Shqipërinë nga mafia, shpëtojmë të ardhmen e kombit shqiptar. Është radha jonë, o sot o kurrë”, tha Berisha më tej.

Më pas e mori fjalën Sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka, i cili u propozoi anëtarëve që të dalin në protesta ekstreme. “Rruga e vetme është të përballemi, të mos presim radhën e tjetrit. Ky regjim nuk ndalet ndryshe”, tha Noka.

Më tej ai ka propozuar protesta në çdo qark, bllokim aksesh rrugore dhe të porteve, aeroporteve, universitetve, etj. Aksioni pritet të nisë pas 10 ditësh. /Pamfleti

Lini një Përgjigje