TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Korrik 2024, 21:03

PD-PS miratojnë draftin e Reformës Zgjedhore, ja hilja me listat e hapura dhe burokracitë për votën e diasporës!

Shkruar nga Pamfleti
PD-PS miratojnë draftin e Reformës Zgjedhore, ja hilja me listat e
Komisioni i Ligjeve

PD dhe PS bashkojnë votat për ndryshimin e Kodit Zgjedhor...

Miratohet drafti i Reformës Zgjedhore. Pas shumë akuzash, përplasjesh dhe debatesh, demokratët dhe socialistët kanë dalë sot me një draft të ri, i cili ha shumë debat nëse quhet apo jo Reformë Zgjedhore.

Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi dolën sot befas me një draft të dakordësuar, i cili shkoi në Komisionin e Ligjeve pasdite, duke kapur në befasi dhe vetë deputetët. Pas 3 apo 4 orë diskutimesh, deputetët miratuan draftin, i cili duket se sjell dy gjëra. Pretendon se hap listat e kandidatëve, por nuk i hap. Dhe po ashtu pretendohet se do të votojë Diaspora, por që në fakt do ta ketë shumë të vështirë.

Palët kanë rënë dakord që të hapin listat 70 për qind, ndërsa 30 për qind do të jenë të mbyllura. Partitë do të dorëzojnë dy lista kandidatësh, një listë me emra të fiksuar, pra lista e mbyllur dhe një listë me kandidatë të hapur. Sipas propozimit, te lista e mbyllur do të jenë vetëm 30 për qind e numrit total të mandateve në atë qark. Pra, nëse marrim Tiranën që ka 34 deputetë, çdo parti do dërgojë 11 emra të mbyllur, që do kenë thuajse të sigurt fitoren. Ndërkohë do të dërgojnë dhe një listë të dytë me 34 emra, ku aty do të jetë një renditje se kush merr më shumë vota. Duke qëndruar në Tiranë, nëse një parti merr 15 mandate, 11 emrave të parë që janë shpallur fitues nga kreu i partisë, do u bashkangjiten dhe 4 të tjerët më të votuar nga lista e hapur.

Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh, atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5, lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa, kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5, lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës”, thuhet në ligj.

Ndërkohë elementi i dytë është vota e Diasporës. Sipas propozimit, emigrantët do të votojnë me postë. Nga diskutimet në komision u lajmërua se mund të kontraktohet një shërbim postar privat.

Mirëpo, ka disa rregulla të cilat mund të bëjnë që vota të dështojë në një pjesë të madhe të saj. Ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votën në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhje.

Zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pas hapjes së procesit të rregjistrimit nga KQZ aplikon në mënyrë individuale për rregjistrim në listën e këtyre zgjedhësve. KQZ krijon, mirëmban dhe përditëson platformën elektronike për rregjistrimin e kërkesave të zgjedhsëve që dëshirojnë të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Zgjedhësi për rregjistrim në listë paraqet dokumentacionin që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit”, thuhet në draft.   

Palët politike gjithsesi i kanë dhënë të drejtë vetes që të ndërhyjnë më tej në proces me kufizime të tjera të mundshme, gjatë shqyrtimit në të ashtuquajturin “institucion rregullator”.

Lista e detajuar e dokumentacionit që kërkohet për regjistrimin e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë përcaktohet me vendim të Rregullatorit”, shkruhet në propozim.

Pra, duket sikur ka një diskriminim mes atyre që votojë brenda dhe atyre jashtë. Këta të fundit duhet të kalojnë në disa hapa. Drafti kalon nesër në seancë plenare për votim. /Pamfleti

Lini një Përgjigje