
Partia Socialiste ka kërkuar shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”. Kjo kërkesë është paraqitur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve .
Partia Demokratike ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke e cilësuar si një përpjekje për të përdorur aktivitetin sportiv për qëllime propagandistike dhe elektorale. Në një shkresë drejtuar komisionerit Ilirjan Celibashi, PD shprehet se aktiviteti është organizuar nga qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore dhe se shpenzimi i mbi 7 milionë eurove nga fondet publike për këtë aktivitet është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor.
PD thekson se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Sipas PD-së, kjo situatë shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.
Partia Demokratike kërkon që kërkesa e PS-së të mos merret në konsideratë nga KQZ, duke e cilësuar çdo vendimmarrje në këtë drejtim si një ndërhyrje të papranueshme në barazinë e garës dhe një minim të rëndë të integritetit të zgjedhjeve.
“Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur axhendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor”, thuhet në letrën e PD dërguar KQZ.
Lini një Përgjigje